Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, zëdhënëse e Qeverisë, Elisa Spiropali deklaroi sot se programi i PD-së parashkruan nga ëndrra deri në kufijtë e mashtrimit. “Është fakt në çdo bashki në çdo qytet, ka ndodhur transformime dhe janë bërë punë të bukura. Nuk merremi me ta po meqenëse kanë prezantuar një program i cili nga fillimi parashkruan ëndrra, për të mos thënë se shkojnë deri në kufijtë e mashtrimit sepse bëhen fjalë për ulje të gjitha taksave, rritje të të gjitha shpenzimeve, dyfishim të rrugëve, pagave, pensioneve pa prezantuar një mënyrë se ku do i gjejnë paratë dhe nga cili qiell këto para të bien, ne na lind e drejta që të flasim për ta, por në fushatë nuk merremi për ta”, u shpreh Spiropali.

Spiropali tha se ne nuk merremi me opozitën në fushatë por punojmë dhe deri në fund të vitit do të ndërtojmë 4000 shtëpia individuale dhe 160 shkolla. “Ne shkojmë punojmë shohim shtëpitë e rindërtimit të cilat deri në fund të vitit do jenë 4000 mijë njësi individuale që po ndërtohen në tre qarqe dhe 11 bashki, ne shohim shkollat e reja që janë 160 që po ndërtohen në të gjithë territorin e vendit. Ne bëjmë punët që ata si kanë bërë si në bashkinë Kamëz, Vorë dhe kudo tjetër ku kanë drejtuar ata punë të pa bëra 30 vjeçare, ne nuk merremi me ta. Ne nuk premtojmë çudira por në mandatin e ardhshëm, tani që kemi konsoliduar financat dhe kemi ngritur Shqipërinë në këmbë dhe kemi bërë shumë punë, në mandatin e tretë Shqipëria të bëhet një vend modern, me aeroporte të reja me infrastrukturë hekurudhore që ata e kishin lenë në mjerim, me një bujqësi të zhvilluar, me turizëm të zhvilluar dhe modern”, tha ajo.

Në lidhje me financat e stabilizuara, Spiropali tha se, “kur e morëm në 2013 ne e gjetëm rritjen 0.3%, rritja ekonomike jo vetëm vajti 4% por 2019, para pandemisë edhe papunësia ishte në nivelin më të ulët historik, 11.3%. Nga 33 mijë vende pune të humbura gjatë 2020, në mbylljen e parë ne rikuperuam 22 mijë vende pune dhe ekonomia e gjeti vetëm përmes injeksioneve që qeveria ka bërë në ekonomi. Rindërtimi nuk ka pushuar asnjë çast, edhe se ishim një vend që po përballemi me pandeminë, rindërtimi vazhdon punë pa pushim. E pyetur se sa njerëz ka në çadra që prej tërmetit të nëntorit 2019, Spiropali tha se janë 200 mijë familje që e kanë pësuar nga tërmeti dhe nuk mund të pretendohet që të zgjidhet kjo çështje në një vit.

“13 mijë bonuse qiraje, pra nuk ka asnjë familje të cilës i është prishur shtëpia dhe nuk i japim bonusin e qirasë. Ka familje që rrinë pranë pronave të tyre por shumica marrin bonusin e qirasë dhe do ta marrin deri ditën e fundit kur marrin çelësat e shtëpisë. Në fund të pranverës 500 shtëpi individuale, dhe deri në fund të vitit përfundojnë 4200 shtëpitë. Ndërkohë ka filluar ndërtimi i lagjeve të reja dhe apartamenteve me lagje me standarde të nivelit europian, me çerdhe, shkolla dhe të gjitha kushtet. Janë me mijëra”, tha ajo. Rindërtimi për opozitën mbetet në mes tha Spiropali, duke shtuar se ata nuk e kanë vizionin për punë kaq të mëdha, është projekt që kalon 1 miliard euro, fonde të gjetura nga kjo qeveri dhe nga ky kryeministri në Konferencën e Donatorëve.

“Ata kanë një kryetarë partie i cili ka dëshmuar në të gjitha punët që ka bërë, që nga bashkia Tiranë etj, është aty i katapultuar, është aty se dikush e ka çuar, nuk është aty prej energjisë, prej vullnetit, forcës së tij. Kjo dihet nga të gjithë. Dhe nuk mund të presësh nga një njeri i tillë që të çojë përpara punë të tilla. Punë të tilla i çon përpara vetëm Edi Rama, kjo qeveri dhe kjo mazhorancë. Ne tërmetin nga një fatkeqësi kaq e madhe e kemi kthyer në mundësi, ata dhe mundësitë i kthejnë në fatkeqësi”, tha ajo Në lidhje me programin e PS-së, Spiropali tha se programi “Shqipëria 2030″ do bëhet publik, është në fazën e punimit. Ajo theksoi se këtë program nuk e shohim si program elektoral, por si një projeksion dhe një vizion për Shqipërinë, pra ku duhet të jetë Shqipëria.

“Ne duam drejtësi jo vetëm në sallën e gjyqit por dhe në shoqëri dhe mandati i ardhshëm do jetë një mandat që do të fokusohet te rritja e rrogave në tërësi. Është e vërtetë që rroga mesatare është rritur nga 58 mijë në 73 mijë në këto vite, siç është rritur dhe rroga minimale nga 20 mijë në 30 mijë, por ne do fokusohemi të taksimi progresiv për t’ju ardhur në ndihmë atyre që ftojnë me pak, tek rritja e të ardhurave që është plotësisht e mundshme, nuk themi ëndrra, nuk do themi do jetë rroga sa në Gjermani sa thonë ata të opozitës, por në kushtet që jemi do kemi një rritje të konsiderueshme të rrogave”, u shpreh Spiropali. Ajo shtoi se, “Shqipëria dhe Mali i Zi do jenë dy vende me rritjen më të lartë ekonomike për 2021 parashikuar nga Banka Botërore, e cila është shprehur se për shkak të politikave që kanë bërë këta dy vende do ketë edhe rritje ekonomike në 2021 sepse e kanë përballuar pandeminë me shumë sukses. Banka Botërore parashikon rritjen ekonomike 5.5% në 2021”.

Spiropali tha se ne duam një mandat të tretë jo për vete, por si mjet për të arritur qëllime të larta, për të bërë punët që kemi në mes, për ta mundur COVID-19 përfundimisht. Shqipëria dhe Mali i Zi janë të vetmet vende që kanë nisur vaksinimin antikovid.