Kryeministri Edi Rama e ka nisur këtë të premte me ironi ndaj kryedemokratit Basha dhe programit të arsimit që ai prezantoi ditën e djeshme. Ai publikoi një video të premtimit të Bashës për pajisjen me kompjuterë për çdo shqiptar brenda 4 viteve të ardhshme duke e krahasuar me premtimin e Berishës 16 vite më parë. Edhe ky i fundit, premtonte në vitin 2005 se në dhomën e çdo familjeje do të ketë të paktën një kompjuter Pentium III.

“Angazhohem që brenda 4 viteve, çdo familje do të ketë të paktën një tablet, leptop ose një kompjuter në shtëpi” – tha Basha.

“Çdo dhomë e juaja bëhet me një kompjuter, nuk po them pentium 4 por pentium 3 dhe pentium 2 me 100%” – tha Berisha.

Rama ironizon në Facebook duke shkruar se jua lë lexuesve të zgjedhin për të qeshur apo për të qarë.

“Mirëmëngjes dhe duke ua lënë juve ta zgjidhni të qeshni apo të qani, ju uroj një ditë të qeshur” – shkruan Rama.

Pajisja me laptop-ë, kompjuterë apo me të paktën një tablet për çdo familje, ishte një prej pikave të programit të arsimit të prezantuar ditën e djeshme nga kryedemokrati Basha.