Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka sqaruar se nuk ka asnjë lidhje me organizatën OKSE, e cila po zhvillon anketa dhe studime. Këtu ka hedhur poshtë zërat që pretendojnë se e bën këtë për Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Me anë të një njoftimi, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri sqaron se nuk ka lidhje me OKSE-n dhe me asnjë anketues tjetër në Shqipëri.

“OSBE-ja nuk është dhe nuk do të jetë e përfshirë në sondazhe zgjedhore, dhe ajo distancohet plotësisht nga kjo organizatë dhe veprimet e saj.

Ne kemi vënë në dijeni autoritetet përkatëse lidhur me çështjen dhe rezervojmë të drejtën të ndjekim veprime ligjore kundër përdorimit të paautorizuar të emrit apo logos së OSBE-së. Me këtë rast, informojmë se emri i OSBE-së, emblema e saj dhe logo të tjera, që janë pronë ekskluzive e OSBE-së, mbrohen nga Neni 6 i “Konventës së Parisit për mbrojtjen e pronësisë industriale” dhe nuk mund të kopjohen, të riprodhohen, të shfaqen apo të përdoren pa lejen paraprake me shkrim të OSBE-së”, thuhet në njoftim.