Ditën e sotme nisi puna për zbatimin e projektit të rijetëzimit të Piramidës, një projekt transformimi arkitektonik i studios hollandeze MVRDV, falë bashkëpunimit të Bashkisë së Tiranës me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit. Të pranishëm ishin Kryeministri Edi Rama, Ambasadorja amerikane Yuri Kim, Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj dhe drejtuesi ekzekutiv i AADF.

Ky projekt do të krijojë kushte optimale për qendrën më të madhe teknologjike në rajon. Piramida e Tiranës, një ndërtesë ndryshe nga të tjerat nga pikëpamja arkitektonike është ndërtuar në shërbim të sistemit komunist, për të përcjellë mesazhin e lavdisë së Komunizmit dhe të Enver Hoxhës. Ndërtesa u planifikua të shërbente si muze.

Pas rënies së komunizmit, Piramidën e pasoi një proces i ngadaltë degradimi, pa u gjetur një mënyrë se si kjo godinë të kthehej në shërbim të qytetarëve, duke ndërruar qëllimin dhe funskionin e saj.

Zërat që ishin për shembjen e godinës, sipas të cilëve hapësira në zemër të Tiranës do të shërbente më mirë si bazament për ndërtesën e re të Parlamentit, si për ironi të fatit u shuan nga brezi i ri, që ishte pak ose aspak i lidhur me komunizmin, duke u grumbulluar falë rrjeteve të sapokrijuara sociale.

Ata nuk donin të ruanin kujtimin e Enver Hoxhës, por donin të ruanin një shenjë të një kujtese kolektive të kësaj bashkësie.

Synimi i këtij projekti është që ta kthejë ndërtesën në një shprehje të një ambicje që mishëron të ardhmen përtej çfarëdolloj ideologjie.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se e ka patur në mendje këtë godinë, bashkë me sfidën për ta kthyer atë në një aset të rëndësishëm në shërbim të qytetarëve, duke hasur vështirësi në këtë, pasi hapësirat e saj nuk janë lehtësisht të përdorshme, dhe duke menduar se cili do të ishte programi dhe funksioni godinës.

Funksioni që do të kryejë Piramida në të ardhmen lidhet me zhvillimet e shpejta teknologjike që po shikon bota, duke e kthyer këtë godinë në një fole të krijimit të kushteve për të rinjtë që të hyjnë në universitetin e pafundëm digjital.
Shqipëria para pak kohësh nënshkroi marrëveshjen Clean Path ku pranoi të angazhohej për të pasur rrugë digjitale më të lira, më të sigurta dhe më të papenetrueshme, duke u renditur krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, çka tregon angazhimet e vendit për të marrë pjesë në hapat inovativë të zhvillimeve teknologjike.

Bashkëpunimi me TUMO, hapësira digjitale vendosur përkohësisht pranë Air Albania që dhe më pas do të zhvendoset te Piramida, ku zhvillohen trajnime në fushën e programimit, dizajnit apo film making, ka treguar se sa shumë ambicje kanë të rinjtë lidhur me botën e teknologjisë.

Kryeministri Rama gjithashtu theksoi se pikërisht qëllimi i kësaj iniciative, pra krijimi i hapësirave të reja për aftësimin sa më cilësor të fëmijëve dhe të rinjve në mënyrë që të jenë pjesë e këtij tregu, do të jetë dhe një nga pikat e programit Shqipëria 2030.