Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali u shpreh sot se, objektivi i mazhorancës për mandatin e tretë është shkollimi i të rinjve në profesionet e reja dhe projektet publike, si vizion i tyre për Shqipërinë 2030. Në një intervistë televizive e pyetur në lidhje me fushatën për zgjedhjet e 25 prillit, Spiropali tha se, “objektivi ynë për mandatin e tretë është të investojmë te shkollimi i të rinjve, te profesionet e reja, që të japin mundësi të fitosh mirë për të jetuar në Shqipëri”. E pyetur për programin e PS, ajo tha se, “programi është duke u përmbyllur, patëm një takim em ministrat dhe drejtuesit e qarqeve, ku programi u diskutua dhe u formalizua dhe shumë shpejt hidhet për diskutim. Nuk është vetëm elektoral, është projekti ynë, është vizioni ynë për Shqipërinë 2030, të tillë e kemi quajtur. Do të fokusohemi shumë tek punësimi i të rinjve, tek profesionet e reja, tek meritokracia në drejtim të së cilës kemi bërë goxha rrugë, por ende ka vend për të përmirësuar sa i përket raportit që kanë qytetarët me institucionet edhe pse shërbimet në administratë janë përmirësuar ndjeshëm me ndërhyrjen e teknologjisë, me e-Albania. Por infrastruktura, projektet publike të infrastrukturës, nga aeroportet tek hekurudhat dhe gjithçka tjetër, për t’i dhënë Shqipërisë një fizionomi përfundimisht moderne janë projekti ynë deri në 2030-n”.

Sa i takon rritjes ekonomike në vend, Spiropali theksoi se parashikimet janë për rritje 5.5%, pavarësisht pandemisë, ekonomia ka reaguar. “Jemi të vetëdijshëm që 2020 ka qenë vit i vështirë, pandemia ka lënë një gjurmë të thellë jo vetëm në ekonomi, por edhe në psikën e njerëzve, patjetër. Të gjithë ne kemi pasur familjarë të sëmurë, njerëz që i kemi parë dhe bizneset janë dëmtuar, sidomos në pjesën e parë të mbylljes në mars. Megjithatë po të shohësh shifrat, vërtetë janë humbur 33 mijë vende pune, në pjesën e parë të 2020-ës, por janë rikuperuar më pas 23 mijë. Pra ekonomia ka reaguar dhe ndërhyrjet e qeverisë në buxhet dhe mbështetja financiare që nga pagat e luftës dhe kreditë për biznesin i kanë dhënë impuls ekonomisë. Po të shohësh raportin e BB për 2021-n parashikimet janë që Shqipëria dhe Mali i Zi do të kenë rritjen më të madhe në rajon. Shqipëria parashikohet me rritjen 5.5%”.

Sa i përket procesit të rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, Spiropali u shpreh se deri në fund të pranverës do të kenë përfunduar 2500 banesa individuale nga 4500 që janë në total. “Ka shumë punë për të bërë, janë bërë shumë, por jemi në mes të punëve shumë të rëndësishme. Më lejoni të theoj rindërtimin. Tërmeti që na goditi ishte më i rëndi në 50 vitet e fundit dhe ishte një katastrofë natyrore që dëmtoi shtëpitë e 200 mijë familjeve, të pabanuara poa dëmtuara.

Sipas saj përgjigjja e shtetit ishte e plotë për përballimin e tërmetit dhe u mor përsipër gjithçka. Ajo theksoi se “rindërtimi është projekti më i madh social që është bërë ndonjëherë në vend. 4500 banesa individuale dhe janë me mijëra apartamente që po ndërtohen në lagjet e reja”. “13 mijë familje marrin bonusin e qirasë”, tha Spiropali duke shtuar se, “na 4500 banesa individuale, deri në fund të pranverës 2500 banesa individuale do jenë të përfunduara”.

Spiropali u shpreh se “do të ndërtohen 170 shkolla të reja dhe ka filluar ndërtimi për 75 dhe kanë përfunduar deri tani 40 shkolla”.E pyetur pse qeveria shqiptare e paragjykoi vaksinën ruse, Spiropali thekoi se zgjodhën  t’i qëndrojnë besnikë marrëdhënies me Bashkimin Europian, pavarësisht kritikave që drejtoi kryeministri në drejtim të tyre.

“Ne zgjodhëm të mos marrin vaksinë kineze dhe ruse, siç ka bërë Serbia përshembull, ka marrë vaksinën kineze, ne zgjodhëm që t’i qëndrojmë besnikë një lloj marrëdhënieje që kemi dhe një besimi që kemi me BE-në”, u shpreh Spiropali. “Nuk e lamë shëndetin e qytetarëve sepse menjëherë kryeministri bëri një takim me shefin e Pfizer dhe mundësoi një marrëveshje me Pfizer që është e rëndësishme. Vetëm dje kanë mbërritur 7020 vaksina dhe pritet në javët dhe muajt në vijim të mbyllet gjithë furnizimi me vaksinat e reja që na duhen. Shqipëria ka siguruar 1 milion e 600 mijë vaksina që besoj do jenë të mjaftueshme deri në 2021-n”, përfundoi Spiropali.