Kadastra Shqiptare nis zbatimin e ligjit për tokën bujqësore në të gjithë vendin, që synon përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë. Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Shqiptare, Artan Lame deklaroi sot se “nga procesi i ndarjes së tokës me ligjin 7501, deri tani kanë përfituar rreth 450.000 familje fshatare, me rreth 1,8 milionë pasuri toke, rreth gjysma e të cilave janë ende të pacertifikuara”. Në një deklaratë për median, Lame theksoi se, “ende rezultojnë disa mijëra familje fshatare të cilat e përdorin token bujqësore pa qenë pajisur asnjëherë me AMTP”. Ai solli në vëmendje se, në vitin 2008 qeveria e atëhershme miratoi një ligj (Ligji 9948/2008) me qëllim verifikimin dhe shfuqizimin e titujve të dhënë deri atëherë, ligj ky që e komplikoi edhe më keq situatën. “Pra gjysma e familjeve fshatare që nuk e kishte regjistruar ende tokën, rrezikonte t’i futej një kalvari të ri, duke u thirrur rast pas rasti në gjyq për tokën që kish marrë”- tha Lame.

Kreu i Kadastrës vuri në dukje se, reforma e ndërmarrë dy vjetët e fundit në fushën e pronës, kishte si qëllim pikërisht të ndalonte këtë degradim absurd të rolit regulator të shtetit dhe t’i jepte fund këtij kaosi. Pjesë e këtij procesi, vijoi ai, është dhe ai i efekteve të ligjit 7501/1991 “Për tokën”. Tashmë, pas përmbylljes së procesit të legalizimeve, sfida e radhës në fshat është sfida e certifikimit të tokës bujqësore. Kjo sfidë tha Lame përbëhet: nga përfundimi i procesit të pajisjes me AMTP (Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi) të atyre familjeve dhe kategorive për të cilat ende nuk është bërë; dhe nga ajo që është më kryesorja, regjistrimi dhe certifikimi i gjithë pronës në fshat.

Ndër të tjera, ligji 20/2020 shfuqizonte edhe ligjin e famshëm të vitit 2008, “Për verifikimin e titujve të pronësisë”. Ligji 20/2020, në fushën e pronësisë në fshat, filloi t’i jepte efektet që gjatë vitit të shkoi. Vjet, në raport me vitet paraardhëse u bë i mundur certifikimi i një numri pronash fermere i pakrahasueshëm me asnjë prej viteve paraardhëse. Lame informoi se, në vijim të këtij procesi, në dhjetor 2020, u miratuan në Qeveri edhe dy nga aktet nënligjore më të rëndësishme të ligjit 20/2020, VKM 1147 dhe 1182 të dhjetorit 2020, që plotësojnë procedurat e plotësimit të AMTP-ve, të regjistrimit të tyre, dhe të saktësimin të kufijve dhe sipërfaqeve të tyre.

Sipas tij, përmes këtyre vendimeve, thjeshtohen shumica e procedurave torturuese që parashikonte kaosi ligjor e nënligjor që ekzistonte deri përpara miratimit të Ligjit 20/2020. Disa nga risitë e të dy akteve (VKM 1147 DHE 1182) janë: Për AMTP e regjistruara përpara hyrjes në fuqi të ligjit 20/2020, nuk shqyrtohet më legjitimiteti i titullmbajtësit. Pra pronarët do ta disponojnë lirisht pronën. Në kategorinë e AMTP-ve të regjistrueshme, janë shtuar edhe AMTP që janë lëshuar për personat që u është hequr e drejta e pronësisë me krijimin e ish-kooperativave bujqësore apo ish-ndërmarrjeve bujqësore ose trashëgimtarët e tyre. Nuk shqyrtohet më sipërfaqja e përfituar me AMTP në raport me sipërfaqen takuese sipas normës për frymë. Llojet e tokës së përfituar me AMTP, për të cilat nuk regjistrohet AMTP-ja mbeten vetëm vetëm 4: truall; vepër e infrastrukturës publike; rërë bregdetare, plazh; sipërfaqe ujore. Shqyrtimi i dokumentacionit të ndarjes së tokës bujqësore, kryhet vetëm nga ASHK. Krijohet mundësia e blerjes së sipërfaqes që posedohet mbi atë çfarë përcaktohet në titullin e pronësisë apo dokumentin e përdorimit. Mundësia e regjistrimit apo edhe përfitimit të aktit të pronësisë për tokën që disponohet në fakt, pavarësisht se ku mund ta jetë përcaktuar vendndodhja sipas AMTP/dokumentacionit të ndarjes së tokës bujqësore, kur s’ka konflikte.

Lame tha se, “në kategorinë përfituesve, kur janë përdorues faktikë të tokës bujqësore, janë shtuar personat që u është hequr e drejta e pronësisë me krijimin e ish-kooperativave bujqësore apo ish-ndërmarrjeve bujqësore ose trashëgimtarët e tyre”. Sipas tij, “të gjitha ato familje ku, sasia e tokës të cilën disponojnë, nuk përputhet me atë që do të duhet të kishin marrë në zbatim të ligjit 7501/1991. Janë mijëra familje me këtë hall që, pasi ju zvarrit që nga viti 1991, u zvarrit edhe më keq me ligjin e vitit 2008. Tashmë problem i tyre zgjidhet me dispozitat e miratuara së fundmi. Dhe në këtë kategori, përfshihej edhe rasti fatkeq që përmenda në fillim të këtyre radhëve”. “Fermerë shqiptarë, Kadastra Shqiptare është duke marrë masat e fundit organizative për aplikimin në territor edhe të kësaj pjese të legjislacionit të ri. Dokumentacioni ekzistues i tokës po mblidhet pranë drejtorive tona rajonale nga të gjitha burimet e Bashkitë, njësitë vendore, këshillat e qarqeve, etj. Gjendemi në momentet e zbatimit të reformës më të madhe në fushën e pronësisë në vend që prej vitit 1991 dhe duhet të jemi bashkarisht entuziastë për këtë gjë”- deklaroi Lame.