Rilindja pas tërmetit në Shijak, vazhdon me kopshtet e shkollat që po përfundojnë dhe ku pas infrastrukturës së re të ujësjellës-kanalizimeve ka nisur ndërtimi i pallateve, ndërkohë që vazhdon kthimi i familjeve në shtëpitë e reja individuale. Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Shtetit, për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe kreu i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana vizitoi sot këtë kantier rindërtimi. Prej sot, flotës së objekteve arsimore në Shijak i shtohet edhe kopshti nr. 1, që është një kopsht me drekë, i ndërtuar me të gjitha standardet bashkëkohore dhe ku do të akomodohen rreth 150 fëmijë të zonës.Kreu i Bashkisë së Shijakut, Elton  Arbana theksoi se një kopsht i tillë i ka munguar banorëve të Shijakut. Sipërfaqja e ndërtimit të këtij kopshti është 1 mijë m2.

“Prindërit do të jenë më të qetë, pasi tashmë ata kanë se ku të mund të çojnë fëmijët e tyre, duke qenë se kopshti do të jetë i hapur përgjatë gjithë ditës”, tha Arbana. Ministri i Shtetit, për Rindërtimin, Arben Ahmetaj tha se janë 160 objekte arsimore që po ndërtohen në të 11 bashkitë e vendit pas tërmetit të 26 nëntorit. “Në 11 bashkitë e prekura nga tërmeti po ndërtohen brenda një viti më shumë objekte arsimore se sa janë ndërtuar në harkun kohor të 30 viteve në të gjithë vendin”, tha Ahmetaj. Arbana më tej, theksoi se paralelisht me ndërtimin e objekteve arsimore puna po vazhdon me orare të zgjatura edhe për ndërtimin e pallateve.

E gjitha zona e Shijakut, vuri në dukje Arbana, është kthyer në një kantier ndërtimit, pasi infrastruktura e ujësjellësit po bëhet e re në Shijak, po vijon puna për ndërtimin e pallateve si dhe objekteve arsimore “Në lagjen “Lugina” në Shijak ka përfunduar ndërtimi i infrastrukturës së brendshme, ndërsa në ditët në vijim pritet të nis edhe implementimi i pallateve, loti i parë prej 5 pallatesh. Në këtë lagje do të ndërtohen 21 pallate ku do të kenë mundësi të akomodohen 400 familje në një sipërfaqe prej 25 mijë metrash katror”, tha Arbana. Sipas tij, e gjithë kjo lagje do të jetë e përfunduar brenda muajit shtator të këtij viti. Njëkohësisht, tha ai, të gjitha familjet që kanë humbur banesën e tyre për shkak të tërmetit të 26 nëntorit, po trajtohen me bonus qiraje deri në kthimin e tyre në shtëpinë e re. “Shijaku, jo thjesht po rindërtohet, por po rikrijohet. Koncepti i lagjes “Lugina”, i jep qytetit një fizionomi krejt tjetër nga çka qenë, qoftë në aspektin social, qoftë ekonomik dhe atë urbanistik”, deklaroi ministri Ahmetaj.

Puna vazhdon edhe për ndërtimin e shtëpive individuale në Shijak. “Nga 567 banesa individuale që do të rindërtohen në Shijak, përfshirë edhe banesat për të cilat është akorduar granti i rikonstruksionit, deri tani kemi përfunduar 450 banesa dhe brenda muajit shkurt të gjitha janë të përfunduara”, informoi Arbana. Në Shijak ka përfunduar totalisht ndërtimi i infrastrukturës urbane. Kryeministri Rama pa edhe punën për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare “Lidhja e Prizrenit”, mbi 2600 m2 ndërtim dhe mbi 8 mijë m2 truall në Shijak, e cila brenda këtij muaji do të jetë e përfunduar. Shkolla do të jetë me 18 klasa dhe 4 laboratore dhe do të mirëpresë 450 nxënës deri në fund të shkurtit. “Do të jetë një ndër shkollat më të mira dhe me standarde bashkëkohore”, tha ministri Ahmetaj. Rindërtimi ka bërë të mundur edhe krijimin e shumë vendeve të reja të punës. Arbana informoi se kompania ndërtuese në Shijak ka shtuar së fundmi edhe 20 të punësuar. Një ndër ta, punëtori më i fundit i punësuar ishte Lulzim Basha, i cili ka një manovrator. Përfaqësuesi i kompanisë ndërtimore u shpreh se Basha ishte punëtori më i mirë. “S’do të jenë të gjithë si Lulzim Basha që fle gjumë, do të ketë edhe nga ata që punojnë “, tha Rama.