Ka shkaktuar një reaksion të jashtëzakonshëm në frontin opozitar intervista e ish-kryeministrit dhe ish-kryesocialistit Fatos Nano. Vlerësimet e këtij të fundit për Ramën dhe një vizatim negativ për Metën dhe Berishën, duket se janë përkthyer, politikisht, si një plus elektoral për mazhorancën aktuale pak kohë para zgjedhjeve të 25 prillit. Kjo pasi një prej taktikave anti-Rama, ka qenë dhe diversioni për ta ndarë atë nga masa socialiste kompakte si elektorat, e cila trashëgohet në nga koha e Nanos. Përpjekjet për ta servirur Ramën si një josocialist por si rilindas – eufemizimi apo kredoja e tij qeverisëse – kanë qenë në këtë funksion. Pra, është tentuar një ftohje e socialistëve tradicionalë, që gjithashtu janë dhe nanonistë në simpatinë që gëzojnë për ish-liderin e tyre, me pasaradhësin e tij Rama.

Dhe, pozicionimi i Nanos krah Ramës, i jep fund dhe kësaj shprese të vagullt opozitare për ta cenuar sadopak unitetin dhe disiplinimin socialist në sfidën e mandatit të tretë. Me Nanon krah Ramës, i cili i çoi dhe mesazhin elektoratit socialist se luante rolin e këshilltarit të tij, ky elektorat tashmë e sheh lidershipin më të përforcuar. Por nga ana tjetër, një ndër reaguesit e mllefosur me Nanon nga kampi mediatik opozitar, ka aluduar se shfaqja e ish-kryesocialistit si një përforcim krah Ramës, mund të sjellë efekt të kundërt në elektorat. Këtë, Andi Bejtja, njeriu që dy ditë para zgjedhjeve të vitit 2005 do bënte thirrje me anë të një shkrimi për të mos u votuar Berisha (por Nano), gjë e cila i solli telashe të mëdha Top Channel-it me Berishën në qeverisje, e sheh si paralele, pa guxuar të thotë, të efektit, sigurisht negativ, që ka ende Berisha e Meta, si relike politike, ende aktivë.

Por Bejtja harron, apo nuk do të pranojë një diferencë, atë që Nano, sado me gabime dhe për t’u sharë në qeverisje, duke e kompensuar këtë me profilin imponues kulturor dhe etik, mbi të gjitha si një politikan liberal dhe fleksibël, i ka kursyer vetes pikën e neverisë për të në opinion, gjë nuk e gëzon dot si avantazh as Berisha e as Meta. Nano është vlerësuar në vitr, për cilësitë e mësipërme, edhe nga vetë demokratë me të njëjtat cilësi, gjë e cila nuk ndodh në të kundërtën.

Sepse, Nano posedon dhe këtë dhe atë, edhe hijen por dhe dritën; mund të kritikosh për shumëçka por dhe mund ta vlerësosh qoftë dhe për pakçka. Ndërsa Berisha e Meta nuk e gëzon këtë profil njerëzor politik, të tipit “me të mirat dhe të këqijat”, ku për më tepër, për një pjesë jo të vogël të elektoratit shihen si neveria vetë. Kjo, sepse u mungon ajo pjesa kompensuese e marrëzive politike; ajo pjesë kulturore, e cila shpërfaqet në qytetarinë politike. Askush nuk e ka llogaritur këtë, por është bash kjo që ka bërë diferencën në 30 vite mes kahjeve dhe personazheve politike. Nuk është e tepërt ta thuash se Nano, politikisht, në disa drejtime është dështim, sidomos në aspektin qeverisës, por kulturalisht, në frymën që përcillte, dje dhe sot, përbën një model, edhe për mënyrën se si arriti që një forcë të urryer si PP në fillim të viteve ’90, ta shndërronte në pak vite në një PS që do kishte hem avantazh politik e hem etik ndaj PD-së së berishizuar shpejt, në gjuhë, metoda, frymë, tipologji, e cila, politikisht, humbi dhe avantazhin elektoral të fillimviteve ’90. (tesheshi)