Mungesat dhe vonesat në shpërndarjen e vaksinave kanë rezultuar në vonimin ose edhe ndërprerjen e programeve të vaksinimit në disa vende të BE-së, sipas Deutsche Welle. Bashkimi Europian është përfshirë në një mosmarrëveshje përshkallëzuese me kompaninë farmaceutike AstraZeneca rreth uljeve të planifikuara në shpërndarjet e vaksinave. Gjithashtu, edhe furnizimi me vaksinat e siguruara nga “BioNTech-Pfizer” në vendet europiane po realizohet në nivele më të ulëta nga sa ishte parashikuar. Mungesat tashmë kanë lënë ndikimin e tyre në terren, me vendet të detyruara të ndalojnë dhënien e dozave të para ose të vonojnë emërimet.

Francë Të gjitha dozat e para të vaksinës COVID-19 priten të pezullohen në Paris dhe zonën përreth duke filluar nga 2 shkurti. Sipas burimeve pranë bisedimeve, Agjencia e Shëndetit Publik për rajonin e Parisit ka njoftuar spitalet të ndalin dozat e para, duke filluar në shkurt, për shkak të furnizimeve jashtëzakonisht të ulta të vaksinave. Më shumë se një e treta e popullsisë së Francës pritet të ndikohet nga vonesa në programin e vaksinimit.

Spanjë Mungesat e vaksinave kanë goditur, gjithashtu, edhe Spanjën, që ka rezultuar me ndërprerjen e programeve të vaksinimit në rajonet e Madridit dhe Cantabria-s. Në Katalonjë, zyrtarët shëndetësorë kanë paralajmëruar se furnizimet e vaksinave për Barcelonën dhe rajonin përreth do të mbarojnë të premten. Sipas kreut të Shëndetit Publik në rajon, Josep Argimon, mungesat në Katalonjë do të thotë se 10 000 persona, të cilët kanë marrë dozën e parë nuk do të marrin dozën e tyre të dytë 21 ditë më vonë, siç është planifikuar aktualisht. Zëvendëskryetari rajonal i Madridit, Igancio Aguado, theksoi se çështjet e furnizimit me gjasë do ta bëjnë të pamundur përmbushjen e qëllimit të qeverisë spanjolle për vaksinimin e 70% të popullsisë deri në verë.

Gjermani Gjermania po përgatitet që mungesat e vaksinave të zgjasin deri në prill, sipas ministrit të Shëndetësisë, Jens Spahn. Deri më tani, kanë marrë dozën e parë të vaksinës mbi 2,1 milionë persona, në një popullsi prej 83 milionë banorësh. Vaksinimi në vend është përqendruar te personat mbi 80 vjeç, punonjësit e kujdesit dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor me një rrezik të lartë të ekspozimit ndaj COVID-19. Vonesat do të thotë se personat në të 70-at e tyre dhe më të rinj, si edhe ata me kushte shëndetësore që i vënë në rrezik më të lartë, do të duhet të presin më gjatë për t’u vaksinuar.

Portugali Portugalia, që aktualisht ka një nga nivelet më të larta të infektimeve në botë, është detyruar, gjithashtu, të ndryshojë planet e saj të vaksinimit për shkak të mungesave. Qeveria njoftoi se do ta zgjasë fazën e parë të planit të vaksinimit të vendit në prill. Vonesat e dorëzimit nënkuptojnë se vendi do të marrë gjysmën e dozave të pritshme vetëm në mars. Sipas zyrtarët portugezë, kjo do të ndikojë në vonimin me dy muaj të vaksinimit të punonjësve shëndetësorë të vijës së parë dhe të të tjerëve, të cilët kanë përparësinë kryesore për t’u vaksinuar.

Holandë Qeveria holandeze, gjithashtu, pret vështirësi në ruajtjen e kursit të duhur në orarin e saj të vaksinimit. Nga 11,7 milionë doza që Holanda porositi nga “AstraZeneca”, vetëm 4,5 milionë pritet të dorëzohen në mars. Nga kjo do të ndikohet popullata e përgjithshme, duke qenë se pritja për t’u vaksinuar do të zgjasë edhe më shumë nga sa ishte planifikuar.