Çifti presidencial, Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta, duket se nuk po gjejnë dot paqe në Tiranë. Pas shpërbërjes së disa prej degëve kryesore të LSI në kryeqytet, mesohet se çifti Meta-Kryemadhi po investohet financiarisht e ligjërisht në sulmet e tyre ndaj Veliajt, i cili drejton fushatën e Partisë Socialiste në Qarkun e Tiranës.

Për shembull, në zonën e Astirit është mobilizuar e gjithë struktura e Fondacionit “Besa”, drejtuesi i të cilës dihet që ka një lidhje të ngushtë me Ilir Metën, dhe po investon fuqishëm për t’i siguruar një mandat deputeti vëllait përmes LSI-së. Ndërkohë, mësohet se disa nga ish-prokurorët e larguar nga Vettingu janë angazhuar nga LSI për të përgatitur nismat ligjore kundër kryebashkiakut Veliaj, si një mekanizëm për ndërprerjen e punëve të Bashkisë përmes gjobave e apelimeve në gjykatë. Rasti më konkret është levizja e fundit e LSI, e cila ka ankimuar në Gjykatën e Apelit në Tiranë vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që vendosi të anulojë gjobën ndaj Veliajt për vizitat e kryebashkiakut në shtëpitë e rindërtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Humbja ndaj Veliajt ne KQZ duket se e ka hidhëruar së tepërmi çiftin presidencial, pasi në Tiranë pritet që PS të marrë një rezultat të lartë, siç e konfirmojne të gjitha sondazhet paraprake. Ndaj çifti Meta ka thirrur në ndihmë ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët e përjashtuar nga Vettingu, për të përgatitur një sërë padish që synojnë pengimin e Veliajt dhe punën e Bashkisë së Tiranës në këto muaj para 25 prillit.