Meteorologia Lajda Porja ka parashikuar sesi do të jetë moti gjatë gjithë kësaj jave dhe kur pritet që temperaturat të ngrihen. Porja tha për FaxNews se kjo e hënë do të shënojë dhe vlerat më të ulëta sa i takon temperaturave, ndërkohë që e gjithë java do të jetë nën zero gradë në veri dhe juglindje të vendit, duke bërë që bora të shndërrohet në akull. Sipas meterologes përmirësimi i kushteve të motit do të ndihet vetëm gjatë fundjavës, ndërkohë që të mërkurën dhe të enjten i ftohti do të ndihet më shumë, për shkak të pranisë së lagështirës në ajër.

“Sa i përket reshjeve do të kemi një përmirësim të ndjeshëm të situatës, e mërkura dhe e enjtja do të sjellin një sasi të ulët dëbore në juglindje. Kryefjalë mbeten temperaturat, që sot kanë shënuar rënie të ndjeshme, deri në -16 gradë, ndërsa në juglindje edhe mesdita do të jetë në vlera negative. Edhe Vlora dhe Saranda kanë shënuar vlera minimale, gjatë ditës së sotme vlera më e lartë që do të shënohet është 4 gradë në Sarandë. Ky i ftohtë që ka përfshirë të gjithë rajonin, do të qendrojë deri ditën e premte dhe të shtunë, e marta dhe e mërkura sjellin një rritje të lehtë. Rritja më e ndjeshme do të ndihet duke nisur nga e premtja, ku kalohet me vlera pozitive në mëngjes, dhe rritje në vlerat maksimale. Me gjithë rritjen që presim në fundjavë, në zonat malore do të ketë ende prani të dëborës, pasi temperaturat do të jenë në minus 6.

Ngricat do të na shoqërojnë për një kohë të gjatë, pasi zonat ku ka prani të madhe bore mbeten në vlera negative. Vetëm zonat e ulëta dhe bregdeti do të kenë vlera pozitive, dita e sotme do të jeta dhe më e ftohta, por rritja në ditët e tjera do të jetë graduale. E mërkura dhe e enjtja pritet që të ketë një shtim të lagështirës në ajër, që bën që i ftohti të ndihet më shumë. E gjithë pjesa e dytë e Shkurtit ka gjasa që të mbetet në kushte të njëjta atmosferike. Kjo valë e acartë do të jetë e fundit për dimrin, nuk do të kemi përsëritje të këtyre vlerave për muajin Mars, kjo është vala më e gjatë e këtij dimri. Më pas fundi i Shkurtit do të rikthejë temperaturat e zakonshme të dimrit. Kemi pasur një dimër dinamik, ku Janari ka pasur luhatje të kushteve të motit, me një prani shumë të madhe të reshjeve, veçanërisht në zonën e Shkodrës, kemi pasur 24 ditë me shi gjatë muajit Janar. Sikur të mos mjaftonte kjo, pas një jave që dukej si pranverë, kemi pasur një javë reshjesh, që ka sjellë tejlkalim të normës mujore. Të gjitha këto reshje që kanë rënë në Janar dhe në Shkurt, janë të njëjta me sasinë që do të duhej të binin në dy sezone në kohë normale“, tha Porja.