Ferma blegtorale e vëllezërve Bullari, në Cërrik, falë punës këmbëngulëse dhe mbështetjes me fonde nga programet e qeverisë, ka arritur të implementojë shërbime moderne dhe bashkëkohore, duke siguruar më shumë cilësi prodhimi dhe më shumë të ardhura ekonomike.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, vizitoi nga afër këta fermerë ku u njoh me ecurinë e këtij aktiviteti dhe perspektivën e zhvillimit për të ardhmen drejt një cikli të mbyllur. “Në fermën e vëllezërve Bullari në Cërrik ku mbarështohen 800 krerë bagëti të imëta dhe 45 krerë lopë, pashë nga afër rezultatet e punës së përbashkët të punonjësve të fermës që kanë sjellë eksperiencat e tyre nga jashtë, me strukturat e shërbimit veterinar dhe të kontrollit të sigurisë ushqimore, për ti ofruar konsumatorit produkte blegtorale cilësore”- tha Ekonomi. Në këtë fermë gjenden kafshë bujqësore të importuara nga disa vende të botës.

Sipas saj, në këtë fermë internacionale aplikohen shërbime bashkëkohore nga banorë të zonës, të cilët janë kthyer nga emigracioni në Greqi, ku kanë punuar në sektorin blegtoral dhe tani po vënë në përdorim eksperiencën e fituar jashtë vendit, në këtë fermë. “Inkurajova Gazmirin të vazhdojë në këtë rrugë si dhe garantova mbështetjen e MBZHR për ta ndihmuar me programet për zgjerimin e aktivitetit”- tha ministrja. Ajo vuri në dukje se, interesante ishte dhe ideja për të kultivuar në fermë arrën kaliforniane, një produkt mjaft i kërkuar dhe për eksport.