Në rrethinat e Tiranës, me mbështetjen e skemave kombëtare është ngritur një tjetër model zhvillimi i fermave të mëdha blegtorale në vend, me 400 krerë dhi dhe një prodhim vjetor 360 tonë. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi zhvilloi një vizitë sot në fermën “Bonum” shpk, e cila pa nga afër zhvillimin e saj falë pasionit të një të riu i cili vendosi të kthehet nga jashtë e të punojë në një sektor krejt të ri për të.

“Bonum” shpk është një sipërmarrje kurajoze në rrethinat e Tiranës, që po zhvillohet prej vitesh, falë edhe mbështetjes që ka marrë edhe nëpërmjet skemave kombëtare. Një fermë blegtorale me 400 krerë dhi franceze, të racave Alpine dhe Saana, e cila drejtohet nga Dervisi. Një i ri që me pasionin për punën, ka vendosur të kthehet nga jashtë, dhe me eksperiencën e akumuluar prej shkollës dhe punës atje, vendosi të punojë në një sektor krejt të ri për të”, tha Ekonomi.

Ekonomi theksoi se shembulli i kësaj sipërmarrje duhet të shërbejë si një thirrje për të rinjtë, të cilët duhet të angazhohen në sektorin e blegtorisë pasi ka mundësi punësimi për ta. “Historia e tij është një thirrje e hapur për rininë shqiptare, që të frymezohet për t’u angazhuar edhe në një sektor sfidues si ky i blegtorisë, ku mundësitë për punësim sa vijnë edhe shtohen”, tha Ekonomi.