Kryeministri Edi Rama së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe ministrin e rindërtimit Arben Ahmetaj mëngjesin e sotëm kanë vizituar një prej familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar në Ndroq, ku tashmë kanë një shtëpi të re.

Familja e përbërë nga 5 anëtarë mes lotëve kanë pritur kryeministrin dhe kryetarin e Bashkisë për të parë shtëpinë e rikonstruktuar.

Kryeministri i vendin ka pyetur gjyshen e shtëpisë “Në rregull shtëpia?”

Gjyshja: Shumë në rregull, shumë faleminderit.

Rama: Më mirë se ajo që ishte?

Gjyshja: Ajo ishte shembur, ne flinim përjashta.

Pasi u ulën rreth një tryeze dhe e bënë “gëzuar”, Veliaj i dha nga një dhuratë simbolike 2 fëmijëve të shtëpisë. Kryeministri Edi Rama ndihmoi vajzën e vogël të hapte dhuratën e saj ku në brendësi kishte një libër “ Të fshehtat e anijes fluturuese”, lexoi ai me zë titullin e librin. E më pas ai shtoi “Të fshehtat e Bashkisë së Tiranës domethënë”, dhe kjo shkaktoi të qeshura në tavolinë.

Kryeministri i dha edhe një mesazh djalit të vogël të familjes “Mëso, bëhu me 10 si motra jote merr shembull nga kjo kingja. Atë dhomën që e ke tani më vete do ta paguash tullë më tullë me 10”. Në fund ata bënë një foto të gjithë së bashku në derën e shtëpisë së re me një buzëqeshje të vizatuar në fytyrat e tyre.