Stuhitë e dëborës, që kanë goditur Japoninë Veriore dhe rajonet bregdetare sot, kanë bllokuar shtëpi të tëra dhe kanë sjellë çrregullime serioze në transport. “Një stuhi e fortë goditi ishullin verior të Hokaidos duke bllokuar shtëpi të tëra”, sipas gazetës ”Hokkaido Shimbun”. Një shpërthim prej 162 km/h i erërave u regjistrua në kepin Erimo në Hokkaido dhe 135 km/h në qytetin e Sakatas, prefektura e Yamagatas. Agjencia Meteorologjike e Japonisë paralajmëroi për “stuhinë më të fuqishme në vite”.

“Ju lutemi të përmbaheni nga daljet”, u tha agjencia banorëve në rajon. Agjencia paralajmëroi gjithashtu për dëborë të madhe, valë të larta, erëra të forta dhe ndërprerje të trafikut në veri-lindje dhe zona në anën e vendit në Detin e Japonisë. Parashikohet deri në 60 centimetra dëborë për rajonin Hokuriku dhe në veri-lindje dhe deri në 50 centimetra për Hokkaido në 24 orët deri të mërkurën në mëngjes. ”Gati 600 shkolla u mbyllën në Hokkaido dhe rreth 70 fluturime dhe më shumë se 200 shërbime trenash u anuluan në ishull dhe në Japoninë veri-lindore”, sipas gazetës ”Hokkaido” dhe agjencisë japoneze të lajmeve, Kyodo.

Në mes të janarit, një person u vra dhe 18 të tjerë u plagosën në një aksident masiv që përfshiu rreth 50 automjete në kushtet e stuhisë në prefekturën veri-lindore të Miyagi. Stuhia e dimrit vjen tre ditë pasi një tërmet me madhësi 7,3 ballë Rihter tronditi veri-lindjen, duke plagosur më shumë se 150 njerëz dhe duke lënë miliona banorë pa energji elektrike.