Artistja e njohur shqiptare Vikena Kamenica ndodhet prej një muaji në Francë, ku do të realizojë operën “Madama Butterfly” në kushte ndryshe nga herët e tjera për shkak të pandemisë. Vikena interpreton rolin e Suzukit, me të cilën është prezantuar edhe më herët në Tiranë. Në një intervistë për “Wake Up”, rrëfeu vështirësitë që hasi për të shkuar deri atje. “E pashë që Franca po kalonte në krizë, aplikova për vizë. Jam ndjerë shumë keq në atë periudhë dhe e mendova të mbyllur e thashë që kjo nuk do bëhet. Është një përshtatje e këndshme sepse unë kam pasur fatin që ta këndoj “Madama butterfly” me Ermonela Jahon në Shqipëri. Që kur filluan provat e para, më erdhën si deja vu të gjitha provat e shfaqjet që kemi realizuar me të.

Kasti është shumë i mirë, drejtuesit janë shumë të përzgjedhur. Ndihem shumë me fat. Është bërë një përshtatje që nga orkestra, është reduktuar dhe është bërë përshtatje muzikore për një orkestër më të vogël. Eksperienca është e bukur. Jo çdo e keqe shkon për keq, por njeh edhe forma të tjera të të realizuarit të operës”, tha Vikena. Ftesa për këtë bashkëpunim i erdhi pasi bëri një tjetër para disa vitesh dhe ia doli të kishte sukses për tu ftuar në operën që do të xhirohet në datën 5. “Një nga kolegët e mi që ishte belg me një frëngjishte perfekte. Më pyet nëse kam kënduar frëngjisht më parë. Jo i them. Hera e parë dhe me Dalilën më thotë, sfidë e madhe. Personalisht e kam jetuar bukur dhe më hapi rrugën për vepra të tjera dhe të mos kem problem për ftesa të tjera. Në programin e ardhshëm më bëri ftesën për Madam Butterfly. Më vjen mirë dhe është mbushje shpirtërore që njerëzit nuk kanë harruar”, shtoi Vikena.

Sa i përket vajzës, u rrëfye se i ka lënë përgjegjësi të mbajë macen. Ndërsa bashkëshorti bën batuta sa herë flasin duke i treguar macen “jam me këtë gjënë me lesh këtu”. “Pafund. Ta them me fjalë, nuk kam thënë asgjë. U tregova pak e zgjuar. Malli e ka marrë jashtë mase, por i thashë që unë s’jam dhe ka marrë përgjegjësi që të kujdeset për macen. (Për bashkëshortin) Sa herë që po e pyes çfarë po bën, thotë ja kam këtë me lesh këtu”, u shpreh Vikena.