Mario Draghi, i ngarkuar nga presidenti italian, Mattarella për krijimin e qeverisë së re, ka shpalosur idenë e tij për reformën tatimore, ku kërkon vendosjen e taksës progresive.Kjo është një qasje plotësisht e kundërt me taksën e sheshtë, ëndrra e partisë ”Lega Nord” të Matteo Salvinit, i cili megjithatë konfirmon mbështetjen e tij për një ekzekutiv të udhëhequr nga ish-presidenti i BQE-së.

”Me taksën progresive ne do të jemi në gjendje të sulmojmë të keqen endemike të evazionit fiskal”, deklaroi Draghi. Vendimi për këtë taksë do të merret nesër dhe vetëm pas kësaj Draghi do të fillojë me ideimin e kabinetit. Aktualisht, gjithçka duket e përqendruar te partia e djathtë ”Lega Nord” e Matteo Salvinit pasi, të flasësh për taksën progresive në vend të taksës së sheshtë është njësoj sikur t’i kesh hequr kalin e betejës për marrjen e pushtetit kësaj partie.

”Draghi e ka përjashtuar taksën e sheshtë”, thotë presidentja e partisë ”Fratelli d’Italia”, Giorgia Meloni.Mbështetja e saj është e dukshme kur thotë se ”shpresojmë që askush të mos e kundërshtojë këtë”. Ndërkohë, për Partinë Demokrate, ideja e Draghit forcon programin e tij për të përballuar krizën ekonomike dhe sociale dhe kjo është arsyeja që pse PD është e bindur ta përkrahë Draghin.”Kemi të bëjmë me një reformë tatimore mbi të ardhurat personale që varet nga progresiviteti, që kërkon një diferencim të të ardhurave dhe nuk rrit presionin e taksave mbi familjet”, thotë lideri i PD-së, Nicola Zingaretti, i cili vlerëson lëvizjen e Draghit./ATSH