Inter ka nisur të vrapojë drejt titullit kampion në Seria A, pasi këtë javë ka mposhtur lehtësisht 3-0 Genoa-n. Në San Siro skuadrës së Conte-s i ka mjaftuar 32 sekonda për të zhbllokuar sfidën, me Romelu Lukaku-n që pas një inkursioni të ngjashëm si me Milanin dërgoi topin në rrjetë. Pjesa e parë do të mbyllej me këtë rezultat, ndërsa në të dytën Darmian dyfishoi shifrat para se Sanchez t’i vuloste përfundimisht. Me këtë fitore skuadra zikaltër shkon +7 pikë nga Milani i vendit të dytë që sonte luan ndeshjen e kësaj jave kundër Romës dhe +10 pikë nga Juventusi i vendit të tretë, që të shtunën barazoi 1-1 me Verona-n.

Ndërkohë në Premier League Arsenal ka marrë një fitore të rëndësishme për javën e 26 kundër Leicester. ‘Dhelprat’ kaluan të parat në avantazh me Tielemans, ndërsa brenda pjesës së parë David Luiz dhe Laccazette përmbysën për ‘topçinjtë’. Në pjesën e dytë emrin në listën e golashënuesve e shënoi edhe Nicolas Pepe. Tre pikët ka marrë edhe Tottenham-i i Jose Mourinho-s, që sot ka shkatërruar 4-0 Burnley-n. Për t’u veçuar në këtë ndeshje ishte rikthimi i Garreth Bale me ‘dopietë’, ndërsa edhe Mourinho gjen pak qetësi pas spekulimeve për shkarkim.