Shefja e ISHP-së, Silva Bino ka folur për infektimin me koronavirus të mjekut infeksionist Pëllumb Pipero rreth dy javë pasi kishte bërë vaksinën anti Covid. Në mbledhjen e ditës së sotme të Komitetit Teknik të Ekspertëve, Bino sqaroi me detaje se mbrojtja nga vaksina krijohet 5-6 javë pas dozës së parë. Pra duhet të injektohen të dyja dozat dhe të kalojnë dy javë pas dozës së dytë në mënyrë që trupi të krijojë anti trupa. Fakti që mjeku Pipero ishte i ekspozuar pasi trajtonte pacientët e infektuar me Covid-19.

Silva Bino: Në lidhje me kolegun tonë, dua të them që është një rast infektimi nga Sars-Cov-2 në periudhën kur nuk janë krijuar kundërtrupat ndaj vaksinës. Kështu që doktori dhe profesori ka qenë i ekspozuar se edhe punon, natyrisht ka pasur kontakt dhe me njerëz të tjerë dhe kjo ka qenë arsyeja përse është infektuar.

Ky është një shkak për të thënë dhe për të theksuar që të gjithë ata që kanë bërë vaksinën nuk do të thotë që duhet të ulin masat e parandalimit, por përkundrazi duhet ti zbatojnë njësoj për vetë faktin se pas dozës së parë, përgjigja ndaj kundërtrupave, pra krijimi i imunitetit fillon pas javës së dytë dhe kjo është arsyeja përse dozën e dytë të vaksinës e bëjmë javën e tretë dhe pas dozës së dytë, pas gati 10 ditëve, 2 javëve krijohet mbrojtja. Pra, nga doza e parë do të duhen të paktën 5-6 javë që personi të jetë i mbrojtur. Këto 5-6 javë, njerëzit duhet të vazhdojnë të mbajnë maskat. Ky është një element tepër i rëndësishëm duke mbajtur parasysh edhe efikasitetin e vaksinës, e cila nga provat klinike shkon 95% me dozën e dytë, jo me të parë. Pra edhe me të dytën, është një 5% që është i pambrojtur dhe për këtë arsye duhet të mbrohen derisa situata të jetë nën kontroll.