Pep Guardiola beson se Bayern Munich është favorit për ta fituar Ligën e Kampionëve edhe këtë sezon, megjithëse skuadra e tij Manchester City mori lëvdata të mëdha në javët e fundit. Man City fitoi lehtësisht 2:0 Borussia Monchengladbach në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve të mërkurën, duke e bërë një hap të madh drejt rrethit tjetër.

Falë ecurisë së kohëve të fundit, Guardiola dhe skuadra e tij City janë liderë të Premierligës dhe falë fitores kundër klubit gjerman të mërkurën, janë me një këmbë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Megjithatë, Guardiola nuk beson se kjo ecuri e fitoreve të njëpasnjëshme e bën skuadrën e tij favorite për ta fituar trofeun më të çmueshëm evropiane për klube këtë sezon.

“Kur e shoh Bayern Munich nuk mendoj se ne jemi favoritë. Synimi im tani është ndeshja ndaj West Hamit pas tri ditëve”, tha Guardiola. “Nëse njerëzit thonë se ne jemi favoritë, atëherë ne duhet ta pranojmë këtë, por jemi një ekip që në historinë tonë kemi qenë vetëm një herë në gjysmëfinale. Por nëse ata thonë, në rregull, ne duhet ta pranojmë”, shtoi ai.