–Kompanitë farmaceutike Pfizer dhe BioNTech kanë filluar një studim ndërkombëtar me 4,000 vullnetarë për të vlerësuar sigurinë dhe efektivitetin e vaksinës së tyre Covid-19 te gratë shtatzëna.

Sipas The Guardian, gratë shtatzëna janë në rrezik më të lartë nga Covid-19 dhe disa zyrtarë të shëndetit publik në SHBA kanë rekomanduar që gratë që kanë rrezik të lartë të marrin vaksina të koronavirusit edhe pa prova nëse janë të sigurta.

Doktor, William Gruber nënkryetar i kërkimit dhe zhvillimit klinik të vaksinave Pfizer ka thënë se kompania mund të ketë rezultate deri në tremujorin e katërt të 2021. Gruber tha se të dhënat e deritanishme sugjerojnë që gratë shtatzëna me Covid-19 kanë nivele më të larta të sëmundjes së rëndë. Gjithashtu kanë nivele më të larta të ndërlikimeve të shtatzënisë, të tilla si lindja e parakohshme, krahasuar me gratë shtatzëna që nuk janë të infektuara nga koronavirus.

“Ky rrezik i rritur është arsyeja pse rregullatorët amerikanë dhe këshilltarët e shëndetit publik janë të interesuar ta bëjnë këtë në radhë të parë, kështu që njerëzit mund të informohen plotësisht për profilin e sigurisë”, tha ai.