Juventusi është klub që ka qëndruar gjithmonë pretendent në futbollin italian dhe europian, duke sfiduar në momentet e tyre më të mirë edhe klube si Reali i Madridit, Bajerni i Mynihut, Barcelona apo dhe Mançester Junajtid. “Zonja e Vjetër” italiane është skuadra më e suksesshme në Itali dhe nuk është rastësi. Për ngjyrat e saj kanë luajtur shumë yje të futbollit botëror, më i fundit Kristiano Ronaldo, sulmuesi fenomenal i Portugalisë. para disa vitesh, Juventusi u gjend papritur në pozitë të vështirë, sepse shpërtheu skandali “Calciopoli”, ku në vorbullën e hetimeve të prokurorisë italiane ranë shumë skuadra të Serisë A për fiksim të rezultateve të ndeshjeve dhe përfshirjen e veprimtarive ilegale të basteve në radhët e klubeve të njohura të futbollit italian. Juventusi e pësoi, së bashku me Milanin e disa skuadra të tjera.

Madje Juventusi ra nga kategoria, duke vënë në pikëpyetje aftësinë e një ringjalljeje të shpejtë. Por “Zonja” italiane jo vetëm ia doli të rikthehet në elitë, por edhe të nisë një zinxhir triumfesh me shumë tituj kampionë radhazi. Ndërkohë, një nga historitë e besnikërisë së një futbollisti karshi skuadrës së zemrës është ajo e Alessandro Del Pieros, Xhixhi Bufon e të tjerë, që nuk e braktisën Juventusin kur zbriti në Serie B. Se sa e donte “Pinturikio” fanellën bardhezi e tregon përmes një anekdote edhe trajneri i madh, Sir Aleks Ferguson. Legjenda që ka fituar gjithçka me Mançester Junajtid ka treguar se si ka tentuar ta rrëmbejë disa herë mesfushorin italian. Gjithashtu edhe kur Juve ra një sezon në Serie B, por pa ndonjë rezultat. “Pas një ndeshje kundër Juventusit, Rajan Gigs dhe Gri Nojvill më kërkuan të bëja gjithçka që ishte e mundur për ta marrë Del Pieron në Manchester United, sepse ai kishte shkatërruar të gjithë mbrojtjen tonë. Kështu që unë kontaktova atë, por ai refuzoi të dëgjonte propozimin tim”, u shpreh Fergi. “Në vitin 2006, kur Italia fitoi kupën e botës dhe çështja e ndeshjeve të manipuluara të Juves në Serie A doli në dritë, unë e thirra përsëri për të luajtur me ne duke e ditur që edhe Reali i Madridit e donte atë. Isha i sigurt se ai do të përfundonte duke luajtur për ne ose për Madridin.

Kështu që unë i thashë atij: “Alessandro, pas kaq shumë vitesh, përsëri të kërkoj të vish në klub. Mos shko në Madrid, është koha të vish këtu në Angli. Ju do të jeni ylli i ekipit tonë”. “Ai vetëm qeshi dhe u përgjigj: “Sir, mendoj se tashmë e kemi bërë këtë bisedë disa vjet më parë. Unë ju respektoj shumë, por Juventusi aktualisht është në telashe (i rënë në Serie B) dhe unë nuk mund të jem frikacak tani dhe të largohem nga klubi im”. “Unë nuk insistova më, ai preferoi të qëndrojë në Juve për ta kthyer Juve në Serie A në vend që të nënshkruajë për Manchester ose Madridin”. Atë sezon në Serie B, Del Piero me 20 gola në 35 paraqitje, e ndihmoi Zonjën e Vjetër të kthehet në Serie A ku po dominon viteve të fundit. Në total, Del Piero ka bërë 705 paraqitje për Juventusin, ka shënuar 290 gola dhe ka dhuruar edhe 91 asistime.