Nga Alfred Peza/

Me një audiencë të frikshme televizive, rikthimi i Fatos Nanos pas një dekade në ekran, ka tërbuar çdo opozitar që ka gjithfarëlloj interesi pushteti pas 25 prillit dhe çdo militant të mundshëm qorr që e pa atë me sytë e tij. Jo se lideri historik i socialistëve u shau secilin prej “Mbretërve” të tyre. As se u tha, ato që ka 30 vjet që i dinë të gjithë, për Sali Berishën dhe Ilir Metën. Por, për një arsye krejt tjetër, e cila nuk artikulohet askund.

Tërbimi i rrjeteve sociale menjëherë pas emisionit të darkës së Fevziut dhe dallga e helmit në mediat online që i zgjoi në mëngjes, kanë lidhje në tërësi me të vërtetat e troçta që u thanë aty. Sepse e vërteta dhemb më shumë se çdo gjë tjetër, kur ajo thuhet në kohën, vendin e mënyrën e duhur, nga njeriu i duhur. Por ato janë thjeshtë një sebep, për këtë lloj reagimi të paprecedentë dhe jo shkaku i tyre i qenësishëm.
Të gjithë e dimë se ish Kryetarin e PS e burgosi politikisht, Presidenti i asaj kohe, Sali Berisha. Se nëna e tij vd iq para kohe, për shkak të dhimbjes epike, që sjell një akt kaq i pashembullt në pluralizëm. Çdo shqiptar dhe opozitar që nuk është tifoz i sëmurë politik, e di të vërtetën që Nano tha për 21 janarin dhe metamorfozën që pësoi “Kryeministri me snajper”. E njëjta gjë, edhe për ato që u deklaruan për Kryetarin e Shtetit.

Në fund të fundit, për Sali Berishën dhe Ilir Metën janë thënë e çfarë nuk janë thënë tjetër shumë më të rënda se ato që artikuloi Fatos Nano. E shumta ato kanë krijuar ndonjë stuhi në gotë, por jo një cunam si ky. Ato të vërteta dhembin duke sjellë këtë tërbim kolektiv, jo se janë bërë nga i vetmi lider i rëndësishëm i këtyre 30 viteve, që mban mbi krye me hijeshi kurorën e tërheqjes me dinjitet nga politika aktive pas humbjes në zgjedhjet e 2005. Ka një arsye shumë më të madhe se të gjitha këto sebepet e “vockla” të mara sëbashku, që e shpjegojnë ndoshta më thjeshtë, se përse po e përjetojnë intervistën e Fatos Nanos si të ishte “pickimi i gjarprit”. E ajo nuk lidhet me opozitën, por me mazhorancën. Jo me PD dhe LSI, por me PS. Jo me Sali Berishën dhe Ilir Metën, por me Edi Ramën.

Uragani që prodhoi tërbimi opozitar, lidhet vetëm e vetëm me raportet e djeshme politike dhe personale të liderit historik të PS, me Kryetarin e tyre aktual. Lidhet me raportet e sotme të ish Kryeministrit socialist, me Kryeministrin aktual. Lidhet me raportet e nesërme të Fatos Nanos me Edi Ramën, që kërkon të fitojë në zgjedhjet e 25 prillit, mandatin e tij të tretë qeverisës radhazi. Sepse kur jemi vetëm 3 muaj përpara zgjedhjeve të 2021, Sali Berisha dhe Ilir Meta më shumë se të gjithë opozitarët e tjerë që bëjnë si më të zemëruar se ata, e dinë se çfarë do të thotë kjo.

Liderët opozitarë të parimit “përça e sundo”, e dinë shumë mirë se çfarë do të thotë për ta që PS pas 2 mandatesh në pushtet, të shkojë në zgjedhjet e përgjithëshme parlamentare solide. E pa përçarë. E pa copëzuar. E pa fragmentarizuar. E pa ndarë në grupe, klane e tarafe. E pa pushtuar si në të shkuarën, nga luf trat verbale cfilitëse. E deri tek ndarjet e mëdha si ajo e 2004, kur u krijua LSI e Ilir Metës dhe zgjedhjet i fitoi një vit më pas, PD e Sali Berishës! Ekspozimi edhe i Fatos Nanos njësh me Edi Ramë, u bë pasqyra më e madhe dhe e qartë, ku opozitarët tanë panë veten e tyre. Ishte ai momenti kur drita në dhomën e tyre të errët u ndez dhe ata dalluan më qartë se kurrë më parë, grupimin e tyre të shpartalluar politik, që dështoi në çdo aspekt për të patur mundësi qoftë edhe teorike, për ta mundur Partinë Socialiste në zgjedhje.

Sali Berisha dhe Ilir Meta do të donin të bënin një rokadë në skakierën e shahut politik, duke i ndërruar pozitat e tyre, me atë të Edi Ramës. Sepse do të donin që PS të ishte siç është opozita sot; me 2 kryetarë realë dhe 2 të tjerë formalë, me dy koalicione parazgjedhore dhe 2 lista të ndryshme kandidatësh për deputetë. E nga ana tjetër, do të donin që opozita të ishte siç është PS; unike. Sepse vetëm kështu mund të riktheheshin në pushtet. Kjo është e vetmja arsye, se përse të gjithë opozitarët tanë u tërbuan me Fatos Nanon dhe aspak me ato që ai tha për Sali Berishën dhe Ilir Metën. Sepse po të ishte për to, mjafton të hapin arkivat, e të shohin se dy liderët e tyre opozitarë janë përjetësisht të pakonkurueshëm për ato që kanë thënë ndër vite kundër njëri tjetrit.