Një tjetër mjek ka humbur jetën si pasojë e COVID-19 në vendin tonë. Bëhet fjalë për mjekun Fatos Zaçe, i cili u nda nga jeta në një nga spitalet e Madridit pas një lufte të vështirë me koronavirusin. Lajmin e hidhur e ka bërë me dijë, Urdhri i Mjekut Durrës, ku thekson se Covidi i frikshëm rrëmbeu një nga specialistët më të shkëlqyer.

‘Me dhimbje të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të mjekut ligjor, doktor Fatos Zaçe, pas një lufte të vështirë për të përballuar Covid -19, në një nga spitalet e Madridit. Një lajm i hidhur për bluzat e bardha, na dërgon bashkëshortja e tij, doktoreshë Dhurata Zaçe.

Doktor Fatos Zaçe u lind në një familje qytetare korçare. Mbaroi fakultetin me rezultate të larta. Më pas filloi profesionin e bukur të mjekut, larg Korçës, në Kukësin e largët. Aty punoi me përkushtim dhe humanizëm të lartë, për 11 vite rradhazi në Pediatri.

Dashuria dhe mirënjohja e qytetarëve të Kukësit do e shoqëronin gjer sa dha jetën. Aty krijoi dhe familjen me bashkëshorten, doktoreshë Dhuratën. Më pas u specializua në shërbimin e Mjekësisë Ligjore. Ai punoi në spitalin e Elbasanit dhe për gati 20 vitet e fundit në Durrës. Para një viti doli në pension dhe shkoi të banojë në Madrid tek vajzat e tij.

Doktor Fatosin do ta kujtojmë si një mjek të përkushtuar, studiues e pasionant në detyrë, i ndershëm në specialitetin e vështirë të mjekut ligjor. Ai ishte bashkëshort e prind shembullor, i dashur me kolegët. Urdhëri i Mjekut, Durrës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta bashkëshortes së tij doktoreshë Dhuratës, fëmijëve, kolegëve.

Covidi i frikshëm na rrëmbeu një nga specialistët tanë të shkëlqyer. Lamtumirë doktor Fatos Zaçe. U prehsh në paqe! I paharruar qoftë kujtimi i tij!’- shkruan Urdhri i Mjekut Durrës në mediat sociale.