Organizatorët e Kupës së Botës së radhës, që do të mbahet në Katar më 2022, janë të sigurt: turneu do të mbahet me stadiume të hapura për 100% të kapacitetit të tyre. “Katari ka filluar të presë ndeshje aziatike të Ligës së Kampionëve pa tifozë, – tha Yasser al-Jamal, kryetar i zyrës operacionale të komitetit përgjegjës për organizimin e Kupës së Botës 2022. – Në dhjetor, kapaciteti i pjesëmarrjes së tifozëve u rrit në 30%, një përqindje e ruajtur në Botërorin e Klubeve. Ne shpresojmë të arrijmë në Kupën e Botës 2022 me një kapacitet prej 100%”.

Katari po e pret Botërorin e Klubeve, pavarësisht rritjes së infeksionit dhe shtrimeve në spital për koroanvirus. Rastet e reja u rritën me një të pestën nga java e kaluar, ndërsa pranimet në spital nga Covid-19 u rritën me 85 për qind në muajin e kaluar, tha ministria e shëndetësisë. Al-Jamal përfundoi: “Kemi besim në masat e marra nëpër stadiume dhe në rrjetin nëntokësor, në hyrjet dhe daljet e stadiumeve për të ruajtur sigurinë e të gjithëve”.