Në takimin e parë dhe as të fundit me Lulzim Bashën, në mbrëmjevonën e të premtes, kryetari i PR-së, Fatmir Mediu siguroi se ai do të dilte në një listë të përbashkët me PD. Por vetëm kaq.

Mediu nuk ka firmosur ende marrëveshjen me Bashën dhe negociatat do të vijojnë edhe këtë fillim jave.

Ndryshe nga negociatat me aleatët e tjerë tradicionalë si Shehi dhe Ndoka, (që Basha i ka mbyllur me nga një vend deri diku të kënaqshëm në listat e PD-së), me Partinë Republikane situata ndryshon.

Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu nuk ka thënë asnjëherë publikisht sa mandate apo me saktë sa vende të sigurta synon në listën e PD-së, por ka kujtuar gjithnjë peshën që kjo forcë politike ka në elektorat.

Nga Partia Demokratike vjen përgjigja më e qartë. Mediu synon të paktën dy pozicione të kënaqshme në listën për qarkun e Tiranës, me emrin e tij dhe në degën nr 9 me nënkryetarin e PR-së, Blendi Sula.

Vetë Fatmir Mediu në një prononcim thotë se, për republikanët është e rëndësishme që “votat e PR dhe gjithë aleatëve të maksimalizohen dhe jo thjesht të kënaqen kërkesa personale”.

Po si mund të arrihet kjo gjë? Dhe çfarë po kërkon Mediu më shumë sesa thjesht një numër mandatesh që mund të marrë nga Basha?

Negociatat

Mediu jep një përgjigje shteruese për atë që po ndodh në radhët e PD-së kundrejt aleatëve në përgjithësi dhe PR-së në veçanti e cila synon më shumë mandate se të tjerët nga partitë e koalicionit (përveç PDIU).

“Ky është një koalicion. Pra nuk duhet konsideruar si përfshirje në listat e PD, por lista të përbashkëta ku vendi i çdo subjekti të koalicionit të jetë sipas peshës elektorale me çdo qark.

Duhet që kandidatët të konsiderohen në çdo zonë si kandidatë të përbashkët dhe jo të ndarë

Nuk duhet të ketë ndarje preferenciale sipas kandidatëve, por të vlerësohet rezultati i tyre”, thotë Mediu.

Rezultatet e PR

Suksesin më të madh elektoral, Partia Republikane e pati gjatë zgjedhjeve parlamentare të 3 korrikut 2005 ku përmes një taktike elektorale të Sali Berishës ajo përfitoi si sigël 11 deputetë, 5 prej tyre nga vetë PR.

Në zgjedhjet parlamentare të 2009, PR mori 1 mandat deputeti, ndërsa në zgjedhjet e 2013-ës fitoi 3 mandate.

“Në gjykimin tonë rezultatet që duhet të përdoren si kritere janë zgjedhjet parlamentare 2009-2013”, thotë Mediu.

Po pse jo 2017 ku PR nuk mori rezultat optimist (Mediu u përfshi në listën e PD), dhe që nga PD i mëshohet fort këtij fakti?

Mediu sërish e ka një përgjigje

“Asnjë parti nuk kandidoi veç PD dhe kjo si pasojë e marrëveshjes me PS, por dhe në 2017 ne e kishim një mandat. Vlerësimi elektoral bëhet në zgjedhjet kur partitë kanë dalë me vehte”.

Aleanca me PD

Fatmir Mediu drejton PR-në qysh prej vitit 1997. Gjatë viteve 1992-1996 dhe 2001-2020, PR ka qenë partia tradicionale në koalicion me PD.

Republikanët dhe demokratët kanë një histori të gjatë bashkëpunimi, suksesi por edhe qejfmbetjesh me njëra tjetrën të sheshuara ndër vite kjo edhe për shkak të një tjetër këndvështrimi që ish-kryetari i demokratëve, Sali Berisha kishte për aleatët.

Nën drejtimin e Lulzim Bashës gjërat nga PD në raport me aleatët kanë ndryshuar jo pak. Por jo për Fatmir Mediun, njeriun e regjur në fushata zgjedhore, i cili është ndër të paktët nga aleatët që i shkon Bashës në zyrë jo vetëm me shifra zgjedhjesh, por edhe program elektoral, siç ishin sugjerimet e fundit që kjo force politike i drejtoi Bashës për pronarët dhe ish-të përndjekurit. (N.Perndoj, SI)