Lulzim Basha prezantoi këtë të premte programin e Partisë Demokratike për rininë në zgjedhjet e 25 Prillit ku nuk munguan edhe premtime të padëgjuara më parë. Sipas Bashës, plani i demokratëve është i sigurtë dhe konkret. Ai u shpreh se si kryeministër do të zgjidhë çështjen e papunësisë, uljen e emigrimit, rritjen e cilësisë së arsimit dhe inoviacionin, një pikë që sipas Bashës do të jetë në krye të përparësive.

Basha u angazhua se 9 në 10 prej studentëve shqiptarë që vijnë nga familje nën 64 mijë lekë në muaj do të përfitojnë mbështetje të plotë përmes financimit 100% të tarifave për Bachelor dhe Master.

Basha tha se asetet që do të sekuestrohen nga Ligji Anti-Mafia do të përdoren për të rinjtë që të ngrenë biznese.

“Angazhohem që asestet e sekuestruara në bazë të Ligjit Anti-Mafia do të kalojnë në duart e të rinjve që ngrenë biznese me benefite sociale për shoqërinë. Angazhohem që ta bëj brezin e ri përparësi të qeverisjes sonë, punë, arsim, mundësi, profesion. Rinia do të jetë e para”, tha Basha.

Sipas kryedemokratit zgjedhjet e 25 Prillit janë jetike. “Ose do ta ndryshojmë Shqipërinë ose nuk do të kemi të ardhme”, tha ai.