Lulzim Basha është shfaqur këto ditë në një version të paparë deri më tani: Atë të një kryefamiljari të përkushtuar për familjen. Pasi ka lexuar përralla për vajzën, imazhi tregonte se kishte në dorë një libër me figura që përshtateshin për një 4-5 vjeçar e jo një 10-11 vjeçare, kreu i PD është shfaqur si një burrë për shtëpi!

Si “pa mendje” bashkëshortja Aurela Isufi e kishte filmuar burrin e saj Lulzim duke gatuar një ushqim, i cili normalisht në rastin më të mirë hidhte shumë stërkala vaji, çka një kuzhinier i mirë mund t’i kishte vënë një kapak. Me gjithë paralajmërimet e Lulzim Bashës për të mos e filmuar dhe për më tepër për të mos e hedhur në rrjetet sociale, i shihej në sy serioziteti i paralajmërimit Lulzim Bashës, bashkëshortja e tij nuk e pyeti dhe e hodhi në instagram! Bashkë me postimin përkatës. Këshilltarët e imazhit të kreut të opozitës, të cilët janë në përbërje të grupit të strategëve të fushatës elektorale të 25 prillit, duhej të kishin qënë shumë të kujdesshëm në disa detaje të vogla, por që të bëjnë gjëmën nëse marrin tërë vëmendjen e publikut.

E para dhe më kryesorja: Nëse kishin kohë që kishin shtrydhur trurin për të dhënë idenë e një kryeministri që është dhe familjar, madje dhe gatuan shumë mirë, të paktën ti kishin këshilluar Lulzim Bashës të hiqte këpucët lustrafin dhe xhinset. Asnjë vezë nuk skuqet me xhinse dhe me këpucë lustrafin veshur. Do rroba të tjera, madje dhe një përparëse. Do kishte dalë pamja më e mirë dhe synimi më i plotë. Nëse s’kishin dijeni si bëhet kjo punë, të pyesnin Kryemadhin, ose sëpaku Aldo Bumçin që është mjeshtër në punët e shtëpisë, përfshirë dhe pazarin, gatimin, larjen e enëve dhe rrobave.

E dyta, strategët e imazhit duhet të dinë se zgjedhjet bëhen në Shqipëri dhe jo në Holandë apo në Suedi, ku burri një familjar i mirë, preferohet nga zgjedhësit. Jemi në Ballkan, ka tjetër qasje ndaj kryeministrit, i cili nuk do të votohet për dhëndërr në shtëpi por për të marrë vendime dhe qeverisur në favor të qytetarëve. Në tipologjinë e shqiptarëve si ballkanas, në krye të vendit duhet një burrë i fortë me “mustaqe”, qoftë dhe pak nopran por që fut njerëzit në punë dhe jo një burrë të mirë, familjar dhe me përparëse që bën punët e shtëpisë. Jemi pas në drejtim të sjelljes, por duhet të pranojmë se zgjedhjet e 25 prillit do të bëhen nën këtë trysni tipike shqiptare.

Aq më tepër kur Bashës i shkelet e drejta themelore si burrë por dhe si njeri: Filmimi e publikimi pa dëshirën e tij i pamjeve duke gatuar për familjen! Qoftë dhe nga bashkëshortja e tij Aurela! Në këtë këndvështrim, druajmë se strategët e Bashës kanë dhënë një mesazh në sensin e kundërt për Bashën kryeministër të ardhshëm. Pra se si nuk duhet të jetë kryeministri!(TemA)