Lulzim Basha e mbajti “litarin” të tendosur deri pak ditë përpara përfundimit të afatit zyrtar të regjistrimit të partive politike dhe dorëzimit të listave të kandidatëve në KQZ në negociatat me aleatët.

Ndërkohë që vijoi paralelisht me përzgjedhjen e kandidatëve të PD nga anëtarësia me të famshmin Komision të Verifikimit të kryesuar nga Genc Ruli e Bujar Nishani. I cili dha “frymën” e fundit në momentin kur Sali Berisha, i acaruar me Rulin deklaroi se do të kandidonte ku të donte vetë dhe se për listat e kandidatëve vendos kryesia e PD.

Tërë skema e Bashës për këtë komision u rrëzua teksa anëtarët e tij Mark Marku dhe Bujar Nishani janë në listat prioritare të kandidatëve për deputetë dhe do të jenë në garën e 25 prillit, në kundërshtim me “statusin” që kishin për të mos qënë pjesë e garës për PD.

Ndërsa të përjashtuarit nga komisioni Ervin Salianji dhe Tritan Shehu janë në lista, ky i fundit është dhe drejtues politik i PD në qarkun e Gjirokastrës. Pra i pari në listë.

Ndërkohë që aleatët ushtruar presion ditë pas dite duke “rrëmbyer” vende të sigurta në listën e PD nëpër qarqe.

I pari që arriti marrëveshjen butë butë ka qënë kreu i LZHK Dashamir Shehi që garanton një vend të para numrit 10 në qarkun e Tiranës, kur dihet se PD mezi e kap numrin 11 të deputetëve në këtë qark që vendos dhe për fitoren e zgjedhjeve në gjithë territorin.

Kështu kreu i PD Lulzim Basha po shkon drejt përfundimit të negociatave me aleatët e tjerë.

Marrëveshjen më të vështirë Basha e ka pasur me kreun e PR Fatmir Mediu. Ky i fundit, për shkak të mbështetjes që ka, i ka vënë disa kushte kreut demokrat dhe duket se ky i fundit i ka pranuar.

Disa ditë më parë Mediu mblodhi firmat për tu regjistruar si subjekt në KQZ, ndërkohë që prezantoi edhe listën me 36 kandidatë për zgjedhjet e 25 prillit në Tiranë si dhe listën në Fier e Shkodër. Por duket se çdo mosmarrëveshje u zgjidh dhe duket se PD dhe PR do të shkojnë në një koalicion të përbashkët për të maksimizuar votën.

Fatmir Mediu, ka përplasje që pretendon se janë parimore me Lulzim Bashën, duke kërkuar sipas peshës elektorale që gëzon PR dy vende të sigurta në qarkun Tiranë dhe një vend të diskutueshëm në Fier.

Teksa disa ditë më parë prezantoi edhe kandidatët për Tiranën, e cila ishte një sfidë e hapur ndaj Lulzim Bashës dhe PD, Mediu kërkon vendin e dytë të sigurtë brenda 13 emrave në qarkun Tiranës për nënkryetarin e PR dhe kreun e të rinjve të kësaj partie, Blendi Sulaj.

Takimi i djeshëm duket se i ka sheshuar mosmarrëveshjet dhe i detyruar dhe nga sondazhet brenda partisë që e nxjerrin në kuota të ulta PD, Basha ka rënë dakord me këto kërkesa të Mediut.

Pas një ore e gjysmë diskutime në selinë blu, Fatmir Mediu u shpreh për mediat se kanë rënë dakord për të dalë me një listë dhe program të përbashkët.

“Konkurrimi duhet të përfshijë njerëz dhe partitë politike që të maksimalizohet vota e opozitës për të përmbysur këtë regjim të korruptuar. Në analizë se ku janë zonat dhe se se do të funksionojë, është pjesë e diskutimit. E kam thënë, jam i gatshëm që të kandidoj kudo që t’i siguroj një votë opozitës. S’kemi folur për këtë gjë, por për pozicionin që ka PR në raport me peshë në votën elektorale. Nuk ka mandate PR në lista, por ka kontribute dhe konkurrime. S’ka vende të sigurta. S’mund të ketë vende të sigurta për kërkënd. PR ka peshën e saj elektorale. Ato vota duhet të jenë pozitive për mandate”, tha Mediu.

Deri tani, Basha ka arritur një marrëveshje dhe me Agron Dukën e PAA të cilit i dha një vend të sigurtë në Durrës, ndërsa kreu demokristian Nard Ndoka ka marrë një vend të sigurtë në listën e kandidatëve për deputetë të PD në qarkun e Shkodrës.

Ndërkohë që paraditen e sotme Basha ka zhvilluar një takim edhe me kreun e PDIU Shpëtim Idrizi, duke dhënë sinjale se do të shkohet së bashku në zgjedhje. Presioni i 76 mijë votave të fituara nga PDIU zgjedhjet e kaluara, kanë bërë që Basha të “dorëzohet” dhe para Idrizit.

Ndërkohë që kreu i PBDNJ Vangjel Dule kërkon një vend të sigurt në qarkun e Korçës dhe një emër të diskutueshëm në Vlorë, për të cilët ka marrë konfirmimin nga Basha.

Pritet që Dule, pas përplasjeve me Fred Bejlerin do të largohet nga qarku i Vlorës për të garuar në qarkun e Korçës. Ndërkohë që Dule dhe PBDNJ duket se e kanë pasur më të thjeshtë se dy aleatët e tjerë arritjen e konsensusit me Bashën për listat dhe garën në 25 prill.

Problem më vete ka qënë aleanca me LSI e drejtuar nga Monika Kryemadhi, e cila ka kërkuar që nëse dalin me listë unike me PD dhe aleatët e saj të djathtë të ketë të sigurtë mbi 30 kandidatë.

Për aleancën me LSI, Basha i referohet marrëveshjes së arritur në vitin 2019 në kulmin e protestave, e cila ka si pikë kryesore bashkimin e forcave për largimin e Edi Ramës nga pushteti. Por nuk ka detaje për koalicion të mirëfillte për ta regjistruar në KQZ!

“Pa pikë diskutimi. Dhe ju e dini që koalicioni ynë ka një marrëveshje të firmosur që në Prillin e vitit 2019. Por duhet të kuptoni që marrëveshja që na bashkon ne nuk është çështje numri deputetësh apo të tjera marrëveshje që kanë të bëjnë thjesht dhe vetëm me aspektet e vogla të lojës politike.

Marrëveshja jonë është shumë më e madhe, është vendosmëria e koalicionit për të larguar Edi Ramën si parakusht që Shqipëria të ndryshojë, që Shqipëria të fitojë”, deklaroi Basha në një emision televiziv.

Në këtë mënyrë dhe pa “gërryerjen” e LSI, listat e Bashës për kandidatë nëpër disa qarqe të vendit janë reduktuar mjaft nga prania e emrave të aleatëve në renditjen e sigurtë ku del deputet.

Demokratët kontributore do të detyrohen të mbledhin vota dhe për këto parti, që asnjëherë nuk kanë fituar një deputet në kandidimin me listat e veta.

Këtë e ndjen dhe vetë Basha, i cili kur pyetet në një emision televiziv nga gazetari se sa mandate merr në Tiranë, ai është shmangur të japë një përgjigjie duke e lënë në dorë të votuesve që duan të largojnë Ramën.

“Unë jam plot besim se qytetarët e Tiranës dinë ta bëjnë dallimin midis atyre që për 8 vite kanë vënë interesat dhe pasurinë e vetes tyre të parën, që janë pasuruar në kurriz të qytetarëve të Tiranës, që kanë shkatërruar qytetin, e kanë bërë të pajetueshëm nga rrugët tek rrugicat, nga parqet e zhdukura të zëvendësuara me beton, nga ulja e cilësisë së jetës dhe rritja e ndotjes së ambientit dhe nga shndërrimi i tyre brenda një kohe shumë të shkurtër në njerëz që kanë shumëfishuar pasurinë ndërkohë që shumica dërrmuese e qytetarëve të Tiranës kanë mbetur vendnumëro apo janë varfëruar në këto vite.

Pra qytetarët e Tiranës e kanë fare të qartë përballjen midis një grushti njerëzish që i kanë përdorur këto 8 vite në pushtet vetëm për veten e tyre, në kurriz të qytetarëve të Tiranës, në kurriz të familjeve të tyre, dhe ekipit tonë që mëshiron më së miri frymën Shqipëria Fiton, Tirana Fiton, qytetarët e Tiranës Fitojnë me programin tonë.

Fitojnë ekonominë, fitojnë një çlirim dhe frymëmarrje që do të ndihet kudo, në jetën e tyre të përditshme, që nga momenti që dalin nga shtëpia deri tek gjërat më të thjeshta të jetës të cilave sot i janë shtuar brenga të mëdha për shkak të kapriçove dhe aferave të thella të korrupsionit që përfaqësojnë këta individë që sot me paturpësinë më të madhe shkojnë dhe u kërkojnë votën.

Qytetarët e Tiranës do të dinë ti ndëshkojnë me votë, do të dinë që me votën e tyre në 25 Prill të bëjnë që ata dhe familjet ë tyre të fitojnë, Tirana të fitojë dhe Shqipëria të fitojë”, deklaron Basha.

I cili është i trembur nga përçarja që mund të vijë në radhët e PD, ku për shkak të aleatëve rrezikojnë të mbeten jashtë listave Oriola Pampuri, Gent Strazimiri, Gerti Bogdani etj./Tema