Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla u shpreh se partitë politike nuk duhet të zihen për fletën e votimit në zgjedhjet e 25 prillit, por t’ia lënë KQZ. Ai tha se kjo fletë duhet të jetë e menaxhueshme, jo “sa një tavolinë”, e për pasojë sugjeron që kandidatët të vendosen me numra ose shkurtime.

“Unë nuk do doja që partitë politike të hyjnë në një diskutim të tillë. I takon KQZ që të përcaktojë një fletë votimi që të jetë e thjeshtë për qytetarët dhe që mos të çojë asnjë votë të pavlefshme. Në këtë këndvështrim, dua të them edhe një herë vlerësimin tone se për herë të parë qytetarët shqiptarë do të kenë mundësi që të votojnë për kandidatin që ata duan dhe jo vetëm për subjektin politik. Fleta e votës do të jetë e përbërë nga dy pjesë, kandidati por dhe pjesa tjetër, me numra apo shkurtime, që e cakton KQZ. Eksperienca ka tregtuar qe të përdoren numrat për të arritur në formësimin e një flete votimit të vogël, për t’u administruar”, tha Balla.