“Gjermania në kohë krizash qëndron e vendosur në krah të Shqipërisë”, deklaroi sot ambasadori i Gjermanisë, Peter Zingraf gjatë prezantimit të anketimit të Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) me fokus sipërmarrjen.

Një klimë e trazuar ekonomike ndikuar nga pandemia e Covid-19 gjatë vitit të shkuar dhe pritshmëri të stepura për vitin e ardhshëm tatimor: Ky është rezultati i një anketimi të sipërmarrjeve anëtare të DIHA-s, që kjo e fundit prezantoi sot gjatë një aktiviteti virtual.

Në praninë e Presidentes së DIHA-s Stephanie Sieg, ministres së Financave dhe të Ekonomisë Anila Denaj, ministrit të Shtetit Eduard Shalsi si dhe organizatave anëtare të DIHA-s dhe organizatave të tjera ndërkombëtare ambasadori Zingraf theksoi, që Gjermania në kohë krizash qëndron e vendosur në krah të Shqipërisë.

Por ai solli në vëmendje faktin, që përgjegjëse për këto pritshmëri të mbytura nuk është vetëm pandemia.

Ambasadori i Gjermanisë, Peter Zingraf tha se “edhe pse vëllimi tregtar mes Gjermanisë dhe Shqipërisë vitet e fundit është rritur dhe në rrugën e integrimit në BE janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm reformash, një pjesë e madhe potenciali vazhdon të mbetet e pashfrytëzuar. Sipërmarrje gjermane dhe të huaja vazhdojnë të shprehin tepër shpesh skepticizmin e tyre lidhur me mjedisin e biznesit në Shqipëri. Ata pyesin, nëse do të mund të gjejnë këtu mjaftueshëm siguri ligjore dhe transparencë. Dhe unë jam dakord: Megjithë përpjekjet e shumta, ekziston nevoja që të ndërmerren hapa të mëtejshëm në mënyrë që klima e investimeve të përmirësohet dhe zhvillimi ekonomik i vendit të ecë përpara. Vendimtare këtu janë siguria ligjore dhe transparenca. Vijimi i reformës në drejtësi dhe asaj në administratë vazhdojnë të jenë me rëndësi thelbësore për demokracinë, ekonominë dhe integrimin europian. Në këtë rrugë Shqipëria mund të vazhdojë të ketë besim në mbështetjen e Gjermanisë”.