Në kantierin e spitali rajonal të Fierit po punohet natë e ditë, me tre turne për të përmbushur angazhimin e qeverisë turke për realizimin e tij në një afat kohor prej 3 muajsh. Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga puna e realizuar deri tani, 30 ditë pas nisjes në këtë kantier. Për ndërtimin e këtij spitali me mbështetjen e qeverisë turke, punohet pa ndërprerje pavarësisht kushteve të motit.

Në kantier pasi është shtruar e gjithë infrastruktura nëntokësore dhe hedhja e themeleve, po ngrihet struktura metalike antisizmike. Spitali Rajonal Memorial i Fierit, sipas premtimit të qeverisë turke do të përfundojë brenda 3 muajsh. Ky spital do të jetë një shembull i sistemit shëndetësor dhe një qendër e transferimit të teknologjisë dhe dijes nga sistemi shëndetësor turk në sistemin shëndetësor shqiptar.

Administrimi i spitalit, me mbarimin e punimeve, do të kryhet në çdo pavijon prej ekspertëve e mjekëve turq për një periudhë tranzitore, deri në kalimin e kompetencave tek drejtuesit shqiptarë, të cilët do të punojnë krah për krah ekspertëve turq, për ta marrë më pas të gjithë përgjegjësinë.