Serbia është vendi i parë në Ballkan që ka filluar me vaksinimin masiv të popullsisë së saj, pasi ajo ka arritur të sigurojë 3 lloje vaksinash. Programi i vaksinimit në Serbi po ecën me shpejtësi më të madhe sidomos pas marrjes së 1 milion dozave nga Kina. Serbia importon vaksinën “Sinopharm”, e cila në fazën e tretë të testimeve ka treguar një shkallë efikasiteti prej 79 deri në 86 për qind.

Pas nisjes së vaksinimit me Sinopharm, ka bërë që vendi të jetë e dyta në Evropë për nga vaksinimi, me 4.6 doza për 100 banorë, pas Mbretërisë së Bashkuar por përpara vendeve të mëdha të BE-së.

Presidenti Vuçiç theksoi se bota është në një luftë për të siguruar vaksinat, ku sipas tij vendet e varfëra janë lënë pas dore.

“Është sikur bota të ketë goditur një ajsberg, si “Titaniku”, të pasurit dhe më të pasurit shpëtojnë veten dhe njerëzit e tyre. Ata kanë përgatitur varka të shtrenjta shpëtimi për ta dhe ne që nuk jemi të pasur, por jemi të vegjël si vendet e Ballkanit perëndimor, po mbytemi bashkë me “Titanikun”. Ky mund të mos jetë qëllimi i tyre, por nuk u intereson shumë”, deklaroi Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë.

Serbia ka marrë deri tani një ngarkesë me 10 mijë doza “Pfizer”, por presidenti Vuçiç thotë se vendi do të marrë vaksinën kineze.