Më 28 janar 1920 u zhvilluan punimet e Kongresit të Lushnjës (Kongresi u hap zyrtarisht më 21 janar) deri më 31 janar 1920, një nga Kuvendet kombëtare më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar dhe shtetin modern shqiptar. Qëllimi i mbajtjes së Kongresit të Lushnjës ishte së pari mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë, sigurimi i pavarësisë dhe rimëkëmbja e saj. Në të morën pjesë rreth 50 përfaqësues nga pjesa më e madhe e krahinave të shtetit shqiptar, të mirëpritur në shtëpinë e patriotit lushnjar, Kaso Fuga, transmeton lexo.com.al.

Kongresi i Lushnjës rrëzoi me shumicë votash Qeverinë e Durrësit dhe zgjodhi një qeveri të re kombëtare të drejtuar nga Sulejman Delvina. Ndër vendimet më të rëndësishme që u miratuan ishte rrëzimi i planeve të Konferencës së Paqes në Paris ndërsa u shpreh për mbrojtjen me çdo kusht të tërësisë dhe pavarësisë së plotë të shtetit shqiptar në kufijtë e vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913. Gjatë punimeve të tij u miratua gjithashtu një akt kushtetues, në të cilin ripohohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar. Kongresi zgjodhi më tej organet më të larta të shtetit shqiptar si Këshillin e Lartë të përbërë nga katër vetë, i cili do të kryente detyrën e kryetarit të shtetit deri sa të caktohej forma përfundimtare e regjimit. U krijua gjithashtu Këshilli Kombëtar i përbërë nga 37 përfaqësues, i cili do të kryente funksionet e parlamentit shqiptar. Në ditën e fundit të punimeve, u vendos gjithashtu Tirana si kryeqytet i Shqipërisë./Lexo.com.al/e.c.