Pas një mungese të gjatë në daljet publike, kreu i PBDNJ ishte i ftuar këtë të premtë në emisionin ‘Java në RTSH’.

Vangjel Dule tha në studion se vendimi për djegien e mandateve ishte i vështirë, por i domosdoshëm. Sipas tij, demokracia rrezikohej dhe vijon të jetë nën kërcënimin e pushtetit autokrat të Edi Ramës. Në panelin me analistët Preç Zogaj dhe Lorenc Vangjeli, kryetari i PBDNJ u shpreh se opozita e bashkuar është sot e vetmja shpresë për rithimin e demokracisë në vend.

“Nëse sot jemi para shpresës së madhe për rrotacion politik kjo i dedikohet vendimit ekstrem në kushte ekstreme të djegies së mandateve. Ne rrezikonim, pasi na kishte ikur nga duart demorkacia, të bëheshim gjethe fiku për sistemin autokrat të qeverisjes së zotit Rama. Kur rrezikimi i demokracisë diskutohet në SHBA, merreni me mend se çfarë ndodh këtu.

Demokracia nuk rrezikohet nga gjeneralët, nuk vritet me pistoletë në dorë. Por vritet nga njerëz si Edi Rama. Sot jemi e vetmja shpresë që mund të kthejmë dhe rigjenerojmë demokracinë në vend. Parimisht bojkoti dhe djegia e mandateve është i gabuar, jemi gjendur në pozita të vështira. Edhe unë në vitin 1996 bojkotova pjesërisht Parlamentin e atëhershëm. Dhe ai bojkot u provua se solli vitin 1997 dhe normalizmin e situatës.

Vendimi i para dy viteve i largimit nga Parlamenti është mëse i justifikuar. Çfarë roli ka një opozitë në Kuvend nëse për zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm nuk ishin as votat e mazhoarancës së thjeshtë? Mori 69 vota. E megjithatë mazhoranca i mëshoi dhe mbylli dosjet X në Dibër apo Y në Durrës…” – tha Vangjel dule në studion e ‘Java në RTSH’.