Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në edicionin e dytë të “Uplift Albania” që u zhvillua te Liceu Artistik “Jordan Misja”, vuri theksin te rëndësia e teknologjisë dhe inovacionit, sidomos për brezat e rinj. Veliaj inkurajoi të rinjtë që të ecin përpara dhe të shpalosin sa më shumë idetë e tyre inovative. Ai tha se Tirana do jetë gjithnjë në mbështetje të këtyre start up-eve, duke përmendur qendrën “Tumo” dhe Piramidën.

“Punimet te Piramida po vazhdojnë. Do punojmë gjithë vitin që “Tumo” të kete hapësirën e vet, ku çdo fëmijë nga mosha 12 deri në 18-vjeç të ketë mundësi të futet në botën e teknologjisë. 1/3 e hapësirës së Piramidës do jetë për mësim, pjesa tjetër do të jetë hapësirë për organizata, që të bëhen praktika dhe të shpalosen ide. Kurse pjesën tjetër do ta lemë për kompanitë dhe bizneset. Gjithashtu, në 29 shkollat e reja, 17 që po ndërtojmë ne dhe 12 qeveria, të fusim fuqishëm pjesën e laboratorëve dhe të IT-së”, nënvizoi Veliaj.