Aulona Musta, Isida Mollaymeri dhe Anila Kalleshi ishin të pranishme në ‘Abc e Pasdites’ me moderatorin Ermal Peçi, ku biseduan mbi mënyrën se si duhet të mbash trupin në formë pas konsumit pa masë të ushqimeve gjatë festave.

Si Aulona edhe Anila theksuan se duhet shumë vullnet për të arritur rezultatet që dëshirojnë me trupin e tyre. Rregullsia dhe vullneti i fortë në ndjekjen e dietave dhe ushtrimeve fizike është i domosdoshëm për të hequr kilogramët e shtuar, apo mbajtjen konstante të peshës.

Po njëjtë tha edhe balerina Isida Mollaymeri. Kjo e fundit tha se për shkak të ndjekjes së rregullt të dietave dhe ushqimeve të duhura ka një organizëm të fortë, saqë e ka mbrojtur edhe nga Covid 19.

“Ha gjithmonë gjëra të kontrolluara, ushqimet e shtëpisë. Duke qenë se unë kam që 5 vjeç që merrem me këtë punë, mami i ka minimizuar në maksimum yndyrnat. Edhe kur marr produkte dhe i reklamoj në Instagram i bëj kontratat mbi 6 muaj, sepse e nis nga vetja. Nëse një gjë për mua është e rëndësishme, për çdo njeri është e rëndësishme. Unë kam të gjithë miqtë e mi që I ka zënë covid-19, mua nuk më ka zënë akoma. Unë mendoj që çdo gjë vjen nga mirë ushqyerja, vitaminat, jeta e mirë ushqimore që kam bërë”.

Anila u ndal edhe tek organet që janë më të rrezikuara kur nuk jemi të kujdesshëm me ushqimet gjatë festave. “Organet më të goditura kanë qenë mëlcia, veshka. Gjithashtu ka pasur patologji me diabetin, kolesterolin nga yndyrnat e ngopura, kripërat e tepërta… Këto persona patjetër që duhet të futen në një regjim shumë të kujdesshëm. Por edhe njerëzit që nuk kanë këto patologji do të ishte mirë që ta çlironin mëlçinë nga tejlodhja që ka pasur ndaj festave të fundvitit”.