Në zgjedhjet e 2017-s, përsëri sipas këtij sondazhi PD-LSI fitonin lehtësisht bashkë, ndërsa LIBRA e Ben Blushit do të ishte forcë serioze me disa deputetë. Në zgjedhjet e 2015-s, përveç garës në Shkodër, në të gjithë bashkitë e tjera në vend rezultati u gjet gabim. Në Durrës, IPR shihte garën Dako-Duma me 1% diferencë, kur në fakt doli me 14%

Sipas këtij sondazhi, edhe në 2013-n Sali Berisha mund të fitonte zgjedhjet i vetëm përballë koalicionit PS-LSI. “Sukses i garantuar. Për të vërtetuar suksesin e kësaj tradite dëshmojnë sondazhet e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009, 2013 dhe 2017, si dhe ato lokale të vitit 2015 së bashku me exit-pollet përkatëse. Mos mungoni. Radio Televizioni Ora dhe Antonio Notto, sot, 19 janar, në ora 21.00 ju sjellin sondazhin e parë për zgjedhjet e 25 qershorit, për t’i shërbyer me objektivitet, paanshmëri dhe profesionalizëm vetëm interesit publik”.

Kështu, “Ora News” reklamon me bujë sondazhin e publikuar ditën e djeshme në ekranin e saj, një sondazh që pavarësisht se paturpësisht ka gjetur gabim çdo rezultat deri më sot, për këtë televizion është i paanshëm, profesional dhe objektiv. Kompania e mirënjohur me një faqe online që kur e klikon del error, e që shprehet se ka një marzh gabimi deri në 2-3%, në zgjedhjet e kaluara jo vetëm ka gjetur fituesin gabim, por ka kapur marzh gabimi deri në 14%. E padëgjuar për botën e sondazheve.

Le t’i marrim rastet me radhë. “IPR Marketing” dhe “Ora News” bashkëpunuan në vitin 2017, kur në ekranin e televizionit u publikuan tre sondazhe të kompanisë italiane.

I pari, ai i 1 qershorit 2017, shpalli këto rezultate: PS 43%, PD 36%, LSI 12% dhe LIBRA e Ben Blushit 2.7%, të mjaftueshme këto për LIBRA-n për të fituar të paktën dy mandate në shkallë vendi. Rezulati final i zgjedhjeve ishte tërësisht i ndryshëm, komplet jashtë marzhit të gabimit të IPR-së. PS, në fakt fitoi 48.4% të votave, duke bërë qeverinë e vetme me 74 mandate. PD, e cila përllogaritej jo 1, as 2, por 8% më shumë fitoi vetëm 28% të votave nga 36% e projektuar, duke prekur minimumin e saj historik, me vetëm 43 deputetë.

Përsa i përket LIBRA-s, ajo nuk kaloi pragun zgjedhor në asnjë Qark të vendit duke mos fituar asnjë deputet. Në këtë sondazh të parë, votat për PS janë qartësisht nënvlerësuar, ndërsa ato për PD qartësisht mbivlerësuar. Në skenarin e IPR, PD dhe LSI, në 2017 bashkë fitonin 48% të votave dhe do të bënin lehtësisht një qeveri të përbashkët, ndërkohë që rezultati final tregoi se PS fitoi e vetme zgjedhjet pa pasur nevojën e asnjë koalicioni.

Bie në sy fakti që nga kërkimi online, të gjithë referencat për këtë sondazh janë fshirë dhe në faqen e “Ora News” nuk ka mbetur asnjë referencë për të. Megjithatë, nuk është hequr ende linku i vetë “Ora News” në “Youtube” – https://www.youtube.com/watch?v=PcJQ0EWxw_g

Në datën 20 qershor, IPR dhe Ora publikuan një sondazh të dytë. Këtë herë, të fokusuar në tre Qarqe kryesore të vendit, Tiranën, Korçën dhe Vlorën, ku marzhi i gabimit të sondazhit vjen duke u zgjeruar edhe më shumë. Konkretisht, në Tiranë, sipas IPR ndarja e votave do të ishte 44% PS, 34% PD, 12% LSI dhe 5% LIBRA, për një ndarje mandatesh 16 PS, 13 PD, 4 LSI dhe 1 LIBRA.Në të vërtetë, PS fitoi 48% të tovave dhe 18 mandate, 4 më shumë nga sa ishte projektuar, PD 30% të votave dhe 11 mandate, 2 më pak nga sa ishte projektuar, LSI 13% të votave dhe 5 mandate, 1 më shumë nga sa ishte projektuar dhe LIBRA 2.3% të votave dhe asnjë mandat.

Në total, projeksionin me realitetin në Tiranë e ndanë 8 mandate të gjetura gabim. Në Korçë, projeksioni i “IPR” ishte 47% për PS, 33% për PD dhe 15% për LSI. Në total, ndarja e mandateve sipas projeksionit do të bëhej 6-4-2. Ky është i vetmi Qark ku projeksioni iu përafruar realitetit. Në fund, PS fitoi 48.3%, PD 32.5% dhe LSI 15%, me një ndarje 6-4-1. Ndërsa në Vlorë, përsëri u nënvlerësua forca e PS dhe u mbivlerësuar forca e LSI. Sipas sondazhit, zgjedhjet në këtë Qark do të kishin rezultatin 56% për PS, 19% për PD dhe 14% për LSI, me një ndarje mandatesh 8-2-2, me një kandidat që mund të shkonte për PDIU.

Në fund, zgjedhjet u certifikuan me rezultatin 60.3% për PS dhe 8 mandate, 21.3% për PD dhe 3 mandate, 11.2% për LSI dhe 1 mandat. LIBRA dhe PDIU që sipas IPR kishin një shans në Vlorë nuk fituan asnjë mandate.

https://exit.al/sondazhi-i-iproranews-per-tiranen-korcen-e-vloren/

Në fund, në 22 qershor sondazhi i tretë i IPR iu largua të vërtetës edhe më shumë. Këtë herë, “Ora” dhe kompania italiane parashikuan se në zgjedhje do të votonin vetëm 950 mijë qytetarë, ndërsa PS do të fitonte vetëm pak më shumë se 400 mijë vota, pothuajse 300 mijë vota më pak se në zgjedhjet e 2013-s.

Ndërkohë, në zgjedhje morën pjesë plot 1.613.810 qytetarë, 700 mijë më shumë nga parashikimet. Se si është e mundur që një sondazh të gabojë pjesëmarrjen gati gjysmë për gjysmë, është e pakonceptueshme. Ndërsa parashikimi për liderat, në 22 qershor mori trajtat e absurdit. Vetëm 44% e socialistëve pëlqenin Edi Ramën, me më shumë se 80% e demokratëve dhe votuesve të LSI që e kishin antipati. Se si mundet, që një Kryeministër të zgjidhet pa u pëlqyer as nga votuesit e tij, kjo është një enigmë që mbeti pa u shpjeguar nga ai sondazh.

Ditën e djeshme, në 19 janar 2021, “Ora News” i referohej aftësisë së “IPR” për “t’i rënë në kokë” rezultatit edhe në dy zgjedhje të tjera, ato të vitit 2015 dhe 2013. Në zgjedhjet vendore të 2015-s, “IPR” parashikoi një diferencë minimale prej vetëm 1% në Bashkinë e Durrësit, në garën Dako-Duma. Rezultati final pa fitues Vangjush Dakon përballë Grida Dumës me një diferencë prej plot 14%.

Ndërsa në Tiranë, gara midis Erion Veliajt, Halim Kosovës dhe Gjergj Bojaxhiut kishte një gabim në marzhet e secilit me 3.2%, 5.6% dhe 5.8%. Në zgjedhjet bashkiake të atij viti, “IPR” gjeti brenda normës së gabimit vetëm Bashkinë e Shkodrës, gara Ademi-Bazhdari dhe gabim të gjithë bashkitë e tjera të mëdha në vend. Ndërkohë, në zgjedhjet e përgjithshme 2013, koalicioni PS-LSI parashikohej se do të fitonte 51% të votave, përballë koalicionit të kryesuar nga PD me 45%. Rezultat ky brenda marzhit të gabimit, që do të thotë se potencialisht Sali Berisha mund të fitonte i vetëm përballë PS-LSI. Në fund, në këto zgjedhje rezultati përfundimtar ishte 57% me 39%. Edhe në vitin 2013, nëse PD dhe LSI do të garonin bashkë, ashtu si edhe në 2017-n apo tanimë në zgjedhjet e këtij viti, ato fitojnë lehtësisht shumicën!!!/LEXO.AL