Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë kryer 425 inspektime dhe monitorime në të gjithë vendin në zbatim të planit të punës, por edhe si pjesë e taskforcës antiCovid. Gjatë kontrolleve zyrtare për garantimin e sigurisë ushqimore në operatorë të biznesit janë dhënë 9 masa me paralajmërim, përgjithësisht për rinovim të librezës shëndetësore, të planit të dezinfektimit, si dhe rinovim i analizave mikrobiologjike të ujit.

Me kërkesë të vetë subjektit janë asgjësuar 47 tonë produkte ushqimore. Në zbatim të Urdhrit “Për bashkërendimin e inspektimeve për zbatimin e protokolleve të sigurisë në kuadër të taskforcës antiCOVID-19” inspektorët e DRAKU-ve përveç monitorimeve të subjekteve kanë këshilluar 173 qytetarë për mbajtjen e maskave për parandalimin e përhapjes së COVID-19. “Gjatë monitorimit në subjekte u krye vëzhgimi mbi përdorimin e maskave nga punonjësit ku kanë rezultuar se përdorimi i tyre bëhet në të gjitha subjektet”, njofton AKU.