Kryeministri Edi Rama inspektoi sot nga afër rrugën e re Miras – Arrëz, një tjetër segment i planit të zhvillimit strategjik të turizmit në qarkun e Korçës.

Kryeministri Rama tha se “ajo që sot përbën bilanc është që qoftë në këtë qark, por edhe në përgjithësi, ne ndryshe nga çfarë thonë ata që ndjekin në mënyrë spontane gjithë aktivitetin e punëve publike, kemi investuar jo pak në rrugët e fshatrave”.

Por, tha Rama, ndryshe nga çdo herë më parë ku të gjitha i merrte koha me vete kemi investuar në mënyrë të zgjuar duke vlerësuar në radhë të parë prodhimin, potencialin e rritjes së prodhimit dhe nga ana tjetër, po në radhë të parë, potencialin turistik”.

“Këto të dyja janë kryesoret për të bërë zgjedhjen se ku do të investojmë, se po të kishim mundësi të investonim në të gjitha rrugët në të njëjtën kohë nga pikëpamja financiare do e kishim bërë, por kjo mundësi është ekzistente, askush nuk e ka këtë mundësi që të bëjë të gjitha në të njëjtën kohë. Prandaj mundësitë që i kemi pasur i kemi shfrytëzuar për të rritur mundësitë, pra duke bërë investime të zgjuara”, tha Rama.

Faktikisht, ai theksoi se “me këto investime në rrugët e fshatrave që po bëhen këtu është shumë e qartë panorama e përgjithshme e ku duam të arrijmë, sepse ishte çështja e lidhjes së këtyre banorëve që e kanë ëndërr të vjetër, që është patjetër shumë e rëndësishme, por është çështja e asaj që rruga sjell për ta dhe për shumë të tjerë dhe për vetë ekonominë e gjithë kësaj zone dhe për ekonominë kombëtare më pas”.

Në këtë aspekt, Rama tha se “është për t’u nënvizuar që shtrirja e infrastrukturës në funksion të një oferte turistike që është më shumë se sa qarku dhe është një rajon i tërë që prek Përmetin, Gjirokastrën deri edhe zonën e Tepelenës, Gusmar, Kuç në dalje në det është thelbi i kësaj historie. Natyrisht edhe Berati në anën tjetër”.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi theksoi se “kjo është një rrugë e shumëkërkuar, gangrenë për shumë vite në gjendje shumë të keqe që lidh Mirasin me fshatin Arrëz”.

“Është kjo kurora e Devollit të sipërm me potencial të jashtëzakonshëm për turizëm, agroturizëm dhe turizëm historik e kulturor sepse kanë shumë histori si fshatra me tradita e folklore. Kjo rrugë është 8.5 km dhe bëhet me një standard të pazakonshëm për rrugët rurale, mbi 5 metra gjerësia dhe i ka të gjitha veprat e artit dhe komponentët e tjerë”, tha ai.

Peleshi tha se “kjo që po bëhet është me të vërtetë një investim i zgjuar”. “Kritikët apo skeptikët do të thonë si mund të investohen 2.6 miliard lekë për të çuar rrugën në një fshat siç është Arrëza. Në fakt ne e dimë se ky është një nag ato investime të zgjuara sepse është një investim publik që do të zgjoj investime shumë të mëdha private. Në Devoll deri më sot nuk flitet për turizëm. Kjo do ta sjellë turizmin. Ky investim 2 milionë euro do të shumëfishohet dhe do të kthehet në buxhetet tona shumë shpejt mbrapsht dhe do të sjellë një sektor të munguar sot në Devoll”, tha ai.

Peleshi tha se bashkë me rrugën është edhe ujësjellësi i 5 fshatrave lart që zgjidh edhe ky problemin e 1 mijë familjeve të tjera dhe kompletohet çdo fshat me 24 orë ujë.

Kryeministri Rama tha se “po çojmë ujin 24 orë në gjithë këto fshatra te të gjithë këta banorë dhe po krijojmë kushtet për momentin kur aty të bëhet i aksesueshëm potenciali i zhvillimit turistik, pasi kush investon ka rrugën, ujin dhe dritat”.

“Nëse nuk do kishim sistemin e ujësjellësit do të kishim rrugën dhe do të thoshte tjetri këtu si do investoj, të bëjë një hotel, të bëj një bujtinë, njësi shërbimi kur nuk ka ujë, apo kur e ka ujin 2-3 apo 3-4 orë në ditë, të papijshëm vetëm për të larë çimenton”, tha Rama.