Në Bashkinë Kurbin, rilindja nga themelet pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 do të sjellë jo vetëm një pol të ri të zhvillimit urban me dy zona rindërtimi në Laç, por edhe infrastrukturë me standarde bashkëkohore për gjithë banorët e zonës.

Kryetarja e bashkisë Kurbin, Majlinda Cara, në një intervistë për ATSH-në, u ndal te puna kolosale që po bëhet në kantieret e rindërtimit, të cilat do të kthejnë banorët në banesat e reja me kushte shumë herë më të mira se më parë.

Bashkia Kurbin ishte një nga bashkitë më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, dhe Cara thekson se “janë gjithsej 1815 familje të prekura rëndë me shkallë dëmi DS4 dhe DS5”.

Cara nënvizon se “ka nisur ndërtimi i 522 apartamenteve në zonën 1/1 dhe jemi në përfundim të procedurave për nisjen e rindërtimit për banesat individuale, si dhe nisjen e rikonstruksionit të 180 godinave të pallateve”.

“Aktualisht nuk kanë hyrë ende familje në banesa të reja, por procesi i rindërtimit për vitin 2021 do të vijojë duke përfunduar rindërtimin për 522 apartamente në zonën 1/1″, si dhe godinën e Bashkisë dhe një shkollë brenda kësaj zone”, tha ajo.

Po ashtu, Cara tha se në zonën e dyte për zhvillim po ndërtohen 200 apartamente edhe spitali i ri i qytetit, infrastruktura dhe sistemimi i përroit të qytetit”.

“Në gjithë bashkinë e Kurbinit janë edhe 465 banesa individuale dhe 10 objekte arsimore që do të ndërtohen”, tha Cara.

Kryebashkiakja e Kurbinit theksoi po ashtu se “po trajtohen me bonus qiraje 1615 familje”.

Për sa i takon objekteve arsimore Cara tha se “ka përfunduar rindërtimi për shkollën 9-vjeçare Gjorem dhe është në proces përfundimi gjimnazi Mamurras”.