Kryeministri Edi Rama tha: “Sot, është e rëndësishme të mbahet parasysh kur flasim për sistemin tonë të taksave dhe për administrimin fiskal nga vijmë dhe po kaq e rëndësishme është të them që jemi ende në mes të rrugës, jemi ende në proces ndërtimi të të gjithë sisemeve që do të mundësojnë funskionimin modern, transparent dhe efiçent të të gjithë këtij sektori kyç të të ardhurave dhe administrimit të tyre.”

Kryeministri Rama u ndal edhe tek rritja e punësimit duke deklaruar: “Ministrja bëri një krahasim që unë dua ta shtjelloj pak, sepse është një imazh që mund të ndihmojë lehtësisht për të kuptuar si e shohim ne të sotmen, krahasuar me të djeshmen dhe në raport me të ardhmen, duke sjellë krahasimin me rindërtimin mund të thuhet se sot kantieret tona të rindërtimit dhe secili le të sjellë në imagjinatën e tij Laçin apo Fushë-Krujën apo Thumanën apo cilindo kantier tjetër ku puna është në vazhdim, janë në fakt një pasqyrë e një situatë ku është vendosur e gjithë infrastruktura nëntokësore, janë vendosur themelet, janë ngritur karabinatë, por nuk është ende një situatë e banueshme në sensin e funksionalitetit të plotë të atyre banesave ku vazhdon puna që të pajisen me të gjitha sistemet e brendshme që të kthehen nga kantiere në vendbanime. Kjo është situata edhe në këtë sektor dhe në çdo sektor, por krahasuar me të djeshmen është një situatë qartësisht e ndryshme dhe ku qartësisht mund të shihet e nesërmja, ndërkohë që e djeshmja ishte si situata pas tërmetit, si situata pas tërmetit ishte edhe situata e llogarive të shtetit, ishte edhe situata e të gjitha të dhënave në aspektin ekonomik dhe fiskal. Unë po e nis nga një e dhënë, pasi është një këngë e përsëritur për qëllime propagandistike. Ne kemi premtuar 300 mijë vende pune dhe sot thjesht duke iu referuar shifrave, jo anketimeve, jo statistikave të nxjerra nga anketimet, por shifrave të rregjistrit të punës në Republikën e Shqipërisë, ju që jeni ndërmjetësit mes palëve në skenën politike apo në mexhelisin e debatit publik dhe qytetarëve. Hapeni dhe shikojeni dhe thuajuni njerëzve nëse është apo nuk është e vërtetë që në rregjistrin e punës së Republikës së Shqipërisë në vitin 2013 kishte 473 506 vetë të rregjistruar dhe në fund të vitit 2019 kishte 698 235 punonjës të rregjistruar. Janë apo s’janë 225 mijë më shumë?

Rama tha se ndryshimi në raport me ku u nisëm është nata me ditën, ndryshimi në raport me ku duam të shkojmë është muzgu me agimin. “Nëse sot më thoni çfarë mendoj unë për çfarë duhet të mendojnë njerëzit lidhur me Shqipërinë që duan në aspektin ekonomik, në aspektin e marrëdhënieve me shtetin dhe konkretisht cfarë duhet të mendojnë ata që merren me biznes në aspektin e marrëdhënieve të tyre me shtetin, unë them që ata nuk ka sesi të ndihen jo të lumtur, por as të kënaqur. Nuk ka sesi, ama, nga ana tjetër nuk ka sesi mos të shohin që jemi në një kantier ku është qartësisht e dukshme ajo që është ndërtuar edhe pjesa që mbetet për tu ndërtuar dhe është qartësisht e dukshme se kush mund ta ndërtojë.” shtoi Kryeministri, “Sot nuk ka sesi bizneset të mos ndihen tejet të lehtësuar në raport me jo 700, as 70, as 17, por 7 vjet më parë. Biznesi i vogël, zero taksë. Një pjesë e këtij biznesi zero taksë mbi fitimin, zero TVSH. Nuk ka sesi të mos ndihen të lehtësuar deri në fund nga barra më e madhe fiskale mbi ta, por nuk ka sesi të ndihen të lumtur dhe as të kënaqur kur në të njëjtën kohë duhet të përballen me forca dhe me situata të lidhura me arbitraritetin e administratës tatimore. Atëherë shtoi Kryeministri çfarë duhet të zgjedhin? Kthimin mbrapa apo vazhdimin e kësaj pune e cila sikundër u prezantua këtu sot do të thotë largim përfundimtar i elementit abuziv që sjell me vete një sistem i bazuar te kontrollet e drejtpërdrejta nga njeriu dhe vendosjen në një sistem tjetër ku punën e garantimit të marrëdhënies mes biznesit si prodhues të ardhurash dhe si kontributor për shtetin nuk e bën një ushtri inspektorësh, por e bën një sistem i tërë inteligjent, i cili brenda tij ka një sërë komponentesh ku fokusi është fiskalizimi. E njëjta gjë kudo. Sot, ne kemi kursyer çerek milionë orë për marrëdhëniet biznes-shtet në aspektin e radhave, pritjeve, marrjes së përgjigjeve, të vonesave dhe zvarritjeve duke e kaluar pjesën më të madhe të kontakteve me shtetin online”.

“Ajo që ne do të mundësojmë është që brenda 4-vjeçarit të ardhshëm gjithçka do të jetë online për biznesin, marrëdhënia biznes-qeveri, marrëdhënia biznes-biznes, marrëdhënia biznes-konsumator, gjithçka online. Gjithë sistemi 30 vjecar i punës me shkop në dorë i administratës tatimore do të kthehet në një sistem pune me mendje në kokë. Nga një punë krahu në kuptimin e përdorimit të forcës do të kalohet në një punë inteligjente e bazuar të kompjuteri dhe i të gjithë sistemit të kompjuterizuar që do të japë në kohë reale të dhëna për çdo individ që bën biznes në Republikën e Shqipërisë. Kjo nuk është një ëndërr apo një ide, është një punë që ka filluar. Puna e bërë për këtë karabina është një punë kolosale dhe nuk ka forca të tjera që e bëjnë dot këtë punë dhe jo më pastaj që ta çojnë deri në fund këtë punë. Shumë e thjeshtë, ne kemi të qartë që në fillim për këtë pikë. Kush fiton më pak, paguan më pak, kjo do të thotë që nga pjesa më e goditur e atyre që vetëpunësohen dhe krijojnë punë për të tjerët, biznesi i vogël është pjesa më e privilegjuar sot në raport me trajtimin që i bën sistemi ynë fiskal. Zero taksë mbi fitimin, zero TVSH për një pjesë që janë pjesa deri në 100 mijë dollar xhiro në vit dhe zero taksë me TVSH deri në 140 mijë dollar në vit. Ndërkohë që pjesa tjetër 15% e ka pasur që ditën e parë, pra ia kemi rritur pjesës tjetër, e kemi thënë dhe e themi prap, në mandatin e tretë nuk ka më as rritje as ulje. S’e ulim dot më për biznesin e vogël, nën zero nuk e ulim dot as taksën mbi fitimin as TVSH. Për biznesin e madh do të jemi në të njëjtin pozicion dhe do t’i ofrojmë gjithmonë e më shumë frymëmarrje në raport me administratën duke e kthyer në një marrëdhënie online. Sot, inspektorët e tatimeve nuk shkojnë dot ku të duan sepse janë të gjithë të pajisur me GPS dhe të gjitha lëvizjet e tyre ndiqen online nga qendra. Shumë e rëndësishme në këtë proces të themi që ne na duhen qytetarët, sipërmarrësit e vegjël dhe të mëdhenj që të bëjnë të njëjtën gjë që bëri ajo qytetarja që çoi prapa hekurave personazhin e pështirë të spitalit sepse vetëm kështu ne mund të ecin shumë më shpejt me pastrimin e këtyre çibaneve, ndërkohë që kur i gjithë sistemi të jetë ngritur nuk do ketë më nevojë për kamera të fshehta, për denoncime, sepse gjithçka do të jetë në dritën e diellit. Është një modernizim epokal i të gjithë sistemit ekonomik dhe fiskal të Republikës së Shqipërisë dhe i të gjitha marrëdhënieve ekonomike në Republikën e Shqipërisë ku përfshihen të gjithë individët që bëjnë transaksione parash, si konsumator, si sipërmarrës apo si monitorues i këtyre marrëdhënieve nga ana e shtetit” përfundoi Kryeministri.