Nga Alfred Peza
Gjithkush që është i interesuar për çështjet e zhvillimeve politiko shoqërore në Shqipëri, ka pritur me shumë interes, momentin e bërjes publike të programit elektoral të opozitës shqiptare. Sepse përmes saj, ka mundësi që të shohë e të analizojë, se çfarë pritet të ndodhë me jetën e gjithkujt në këtë vend, në rast se e djathta rikthehet në pushtet pas 8 vitesh të qeverisjes nga socialistët. Ndërsa për zgjedhësit, kjo vlen për ti vendosur programet e të dyja palëve në balancë, derisa të vendosin se kujt do tia japin votën këtë radhë.

Por Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi nuk të zhgënjejnë kurrë, kur vjen puna tek mënyra, sesi ata kërkojnë ta qeverisin Shqipërinë e së ardhmes në raport me atë që kanë bërë partitë e tyre në të shkuarën. Programi ekonomik i PD në veçanti, por edhe ai i LSI nga ana tjetër, riciklojnë sot më 2021 dy dështimet më spektakolare për nga pasojat shkatërrimtare që kanë sjellë për ekonominë shqiptare në 30 vitet e fundit: “Çekun e bardhë” të Gramoz Pashkos dhe “firmat mashtruese piramidale” të Sali Berishës.

Pasojat që sollën këto “dy modele” që ofroi PD pas 1990, për zhvillimin e “kapitalizmit” shqiptar ishin shkatërrimtare. Zbatimi i doktrinës apo të ashtëquajturës “terapia e shokut”, i humbi shqiptarëve pas rrëzimit të komunizmit, të paktën 10 vite kohë për ndërtimin e sistemit të ri të pronës private dhe ekonomisë së tregut të lirë.

Pasojat e zbatimit të këtyre dy modeleve, në jetën social- ekonomike të vendit, njihen tashmë. Direkt ose indirekt ato vazhdojmë ti vuajmë në secilën nga ekonomitë tona individuale e familjare, e në atë kombëtare. Ndaj do të ishte e tepërt, që të provonim ti zbatonim ato edhe pas 25 prillit, si të ishim duke luajtur lojën “e treta e vërteta”!

Programi ekonomik i opozitës, nuk ka asgjë të djathtë në thelbin e saj, përveçse “taksës së sheshtë” të vërtetuar njëherë si e dëmshme. Ndërsa të gjitha premtimet e tjera, janë totalisht populiste, aspak realiste dhe krejtësisht të pazbatueshme. Ato mund të duken si ca zilka dhe pasqyrëza të bukura, për ti marë shqiptarëve përmes tyre, votat e arta për pushtetin e ardhshëm. Por ata që mendojnë se shqiptarët janë aq budallenj, sa ta hajnë sapunin e tyre për djathë, thjeshtë nuk kanë kuptuar asgjë nga humbjet e njëpasnjëshme në zgjedhje.

Të premtosh sot duke qenë një opozitë e djathtë, një program thellësisht etatist plotë gjysëm shekulli pasi ajo u vu në dyshim nga doktrina e liberalizmit ekonomik dhe reformave të përshtatjes strukturore, është shkatërrimtare për një ekonomi me ekuilibra delikatë si kjo që kemi sot në Shqipëri. Këtë nuk mund ta bëjë dot asnjë student i vitit të parë të fakultetit ekonomik apo të shkencave politike, e jo më një kandidat për kryeministër.

Të ofrosh një program ekonomik si ai i PD, me një faturë financiare shtesë prej mbi 700 milionë eurosh në vit, në kulmin e pandemisë globale dhe projektit të rindërtimit nga tërmeti shkatërrimtar, është vetëvrasje. Ajo që premtohet është thjeshtë një utopi, sipas stilit të të bërit politikë të Lulizm Bashës dhe Monika Kryemadhit, me parimin: Ta hajë kush ta hajë! E sapo ti kenë marë votot, me siguri që do të thonë me vete: “Oh çju gënjyem. Po kjo ishte loja more!”

Ato që janë premtuar në letër për çdo shqiptar, që nga bebet e sapolindura e deri tek pensionistët në fund të jetës së tyre, janë thjeshtë sa për fushatë elektorale. Nesër në realitet buxheti ynë modest, nuk mund ta lejojë në asnjë rast e në asnjë lloj rrethane sado e favorshme ekonomike që të jetë në të ardhmen, realizimin e tyre. Duke mos treguar se ku do të gjenden paratë për ta realizuar këtë program të ri ekonomik, liderët e opozitës sonë thjeshtë po i gënjejnë sot shqiptarët, siç bënë edhe para zgjedhjeve të 1992 me “çekun e bardhë” që do na sillte perëndimi kur shkatërruan çdo pasuri publike dhe në ato të 1996, që sollën shumë shpejt si pasojë vitin e mbrapshtë 1997.

Mjafton që të lexoni këto radhë për të kuptuar, sesi po mundohen që ti fyejnë përmes këtij programi, inteligjencën çdo zgjedhësi: “Ne do të financojmë 100% interesat e kredive për 20 000 familje të reja. Do të japim 3 000 lekë në muaj për çdo fëmijë të lindur për 5 vite me radhë. Do të ulim çmimin e energjisë elektrike për 710 mijë familje. Do të rrisim pagat dhe pensionet. Ne do të ulim taksat dhe çdo i punësuar do të ketë më shumë para në xhepat e tij për familjen e vet.”

Gjithkush e kupton që ky nuk është një program ekonomik. Është thjeshtë një përpjekje për të rikthyer edhe njëherë firmat mashtruese piramidale në Shqipëri. Me ndryshimin e vetëm, se Vehbiu dhe Sudja do të jetë vetë qeveria e Lulzim Bashës dhe e Monika Kryemadhit!