Partia Demokratike prezantoi sot programin e saj ekonomik. I pranishëm në këtë aktivitet mirëfilli politik dhe elektoral ishte edhe Petraq Milo, aktualisht këshilltar për Ekonominë i Presidentit Ilir Meta.

Edhe pse Presidenti duhet të jetë mbi palët dhe këshilltarët e tij të pavarur, kjo nuk e ka penguar Ilir Metën që të dërgojë këshilltarin e tij Milo për të punuar për programin e PD dhe të marrë pjesë hapur në një aktivitet politik.

Një sjellje e tij bie në fakt ndesh dhe me veprimin e bërë pak kohë më parë nga vetë Presidenti. Kujtojmë që Ilir Meta “detyroi” ish-këshilltarin e tij të sigurisë Bahri Shaqiri që të jepte dorëheqjen për t’u angazhuar tek LSI, ndërsa Edmond Panaritin që të linte teserën e partisë së tij për ta emëruar si këshilltar në Presidencë.

Petraq Milo, nga viti 2005 deri në vitin 2013 ka mbajtur pozicionin e Këshilltarit të Berishës për financat publike dhe politikat monetare. Ndërsa nga nëntori i vitit 2019 mban pozicionin e Këshilltarit Ekonomik të Presidentit të Republikës.