Deputetja e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni, e zgjedhur kryetare e nënkomisonit për çështjet e barazisë gjinore në Asamblenë Parlamentare të KE-së, e vlerësoi këtë post si një detyrë të rëndësishme, pasi siç tha ajo “do të përfaqësoj në nivelin më të lartë vendin”. Gjatë një interviste televizive, Gjermeni theksoi se, Partia Socialiste është ajo forcë politike që ka mbështetur dhe ka rritur përfaqësimin e grave dhe vajzave në politikë. “Gratë në institucione sot kanë përpërfaqësim të lartë. Ndërsa pjesëmarrja e tyre në politikë është në rritje”- tha Gjermani. “Jam krenare që i përkas PS-së, që është modeli më i mirë në përfaqësimin e grave në politikë dhe në strukturat vendimmarrëse, duke i dhënë hapësirë dhe grave dhe vajzave që ato të përfaqësohen dhe zëri i tyre të dëgjohet”, – tha Gjermeni.

Ajo tha se “jemi ndër vendet në Europë që kemi një angazhim të madh të zonjave në parlament, trupin diplomatik, nivelet drejtuese në administratën publike, ndërsa pjesëmarrja e grave në jetën publike është përmirësuar dhe rritur ndër vite”. Për mua, vijoi Gjermeni, “ky është emancipim i shoqërisë, demokratizim i vendit dhe sot kemi një shoqëri më të përfaqësuar dhe përfshirëse. Nga pikëpamja e numrave ndryshimi është i dukshëm, sfidat që kemi përballë tani përveç konsolidimit të çfarë kemi arritur janë të mbajmë nivelin e grave në politikë dhe fuqizimin ekonomik të tyre”.

Ajo nënvizoi se, sfida është që të rritet përfaqësimi i grave në nivelin 50 %, ndërsa sot përfaqësimi i tyre në Kuvend është në gati mbi 30 %.

“Ligjet që kemi miratuar në Kuvend janë përmirësuar, duke sjellë kontributin e munguar të grave në parlament”, – deklaroi Gjermeni. “Është e rëndësishme që gratë dhe vajzat të motivojnë gra të tjera që të angazhohen në jetën publike. Patjetër që duhet 50 % e grave në jetën publike. Kuota e 30 % është kuota minimale, por ajo që them me siguri është se ligjet që kemi miratuar në parlament janë përmirësuar që të kenë një perspektivë gjinore dhe të sjellin kontributin e grave në parlament”, tha Gjermeni.