Pavarësisht deklaratave që vijnë nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) dhe Japonia për një Olimpiadë të sigurt dhe që do të zhvillohet me çdo kusht këtë verë, faktet tregojnë të kundërtën.

Sinjali i fundit se situata nuk është e mirë vjen sot nga Japonia, ku është anulluar testi i parë i programuar për datat 4-7 mars. Në këto data duhej të zhvillohej në “Tokyo Aquatic Center” një event i notit të sinkronizuar. Ky event është shtyrë për datat 1-4 maj.

Organizatorët deklaruan se ky event-test u shty si pasojë rregullave anti-Covid që ka marrë Japonia dhe t’u garantojë sportistëve kushte të barabarta për përgatitjen e tyre. Ndërkohë që, edhe udhëtimi për në Japoni është bërë i vështirë.

Për momentin nuk ka anullime apo shtyrje të eventeve të tjera që do të organizohen në Japoni. Në Tokio, deri më 7 shkurt është vendosur gjendja e jashtëzakonshme. Sportistët që deri më 31 dhjetor kishin marrë leje për të hyrë në Japoni, për t’u përgatitur për Olimpiadën, u është hequr përkohësisht e drejta që të udhëtojnë.