Tirana është duke parë me kujdes të gjithë merkaton e rajonit. Dëshira kryesore e bardhebluve është Besart Ibraimi. Lideri i Shkëndijës së Tetovës është një ëndërr më vete për bardheblutë, pasi lojtari garanton gola me shumicë. Problemi kryesor është se futbollisti është nën kontratë dhe Tirana nuk mund t’i afrohet nëse lojtari nuk del i lirë.

Gjithsesi, te Shkëndija dhe në Maqedoninë e Veriut ka kohë që nuk fryn erë pozitive për futbollin. Janë ulur rrogat, një plus kjo për kampionatin shqiptar. Nga ana tjetër, shumë tifozë të Tiranës e kanë mik lojtarin që mund të ndikohej nga ta për të qenë pjesë e bardhebluve.

GURI – Tirana ka kontaktuar disa lojtarë gjatë kësaj kohe. Njëri është Sindrit Guri. Lojtari kërkon një sistemim diku tjetër, por ka lënë në pritje bardheblutë për të ardhmen. Ai ka dëshirë që të luajë jashtë Shqipërisë. Kujtojmë që ai është nën kontratë me skuadrën belge, Ostenden.

GURI I FUNDIT – Guri i fundit për bardheblutë është Arturo Rexhinaldo. Sulmuesi që më parë ka shkëlqyer me Luftëtarin, Laçin dhe Kukësin ka diskutuar me Tiranën.

Është dakordësuar marrëveshja, por nuk ka firmë. Nëse Tirana nuk firmos me sulmues të tjerë do të marrë Rexhinaldon.