Para disa ditësh Tirana njoftoi një lëvizje të befasishme dhe të bujshme në merkato, duke njoftuar se ka arritur marrëveshje me Young Boys për huazimin e Taulant Seferit deri në fund të sezonit.

Më pas prezantimi i sulmuesit u shty për shkak se bardhebluve iu bllokua në mënyrë të befasishme kontrata prej një parregullsie në transferimin e Moctar Cisse rreth 5 vite më parë. Në kohë rekord bardheblutë paguan dëmshpërblimin për klubin maroken të Wydad Casablanca, e cila kishte fituar gjyqin, dhe mundën të marrin lejen e FIFA-s për hapjen e merkatos.

Direkt pas kësaj ka ardhur edhe federimi i Taulant Seferit, i cili siç njoftohet nga Tirana, do të prezantohet mbrëmjen e sotme në orën 19:00 në ambientet e stadiumit “Selman Stermasi”. Sulmuesi i kombëtares do të jetë gati për trajnerin Nevil Dede për ndeshjen e fundjavës me Kastriotin dhe pritet që të marrë disa minuta në atë ndeshje për tu ingranuar sa më shpejt me bardhebluve.