Sivjet nuk u mblodhëm të gjithë për të festuar datëlindjen e gjyshit. Pandemia, nuk na lejoi. Kjo është fare pak, krahashuar me dëmet e mëdha që solli ajo në të gjithë Botën. Mos u mërzisni, bëni kujdes dhe ne, shpejt, do të mblidhemi si më parë. I ndodhur larg jush, me dashurinë e prindit, u shkruaj ketë letër.

Në rininë time, ne këndonim këngën e Vaçe Zelës, që thoshte: “Sot jam njëzet vjeç dhe jeta më thërret / Të qesh të këndoj dhe jetën ta gëzoj” Kanë kaluar shumë vite. Sot,unë jam 85 vjeç dhe “kënga” që do të doja të këndoja sot është: Pavarësisht sa shumë punova, pavarësisht sa pak fjeta, pavarësisht sa shumë u përpoqa, kurrë nuk arrita atë që imagjinova dhe shpresova. Tetëdhjetë e pesë vjet jetë, punë, eksperiencë, histori. Kam lindur në kohën e mbretit Zog, kam përjetuar si fëmijë vitet e lavdishme të luftës partizane, jetova e shërbeva aktivisht dhe me ndërgjegje të plotë në vitet e socializmit dhe kam tridhjetë vjet që jetoj në demokraci. Në demokracinë amerikane, më të konsoliduar në botë dhe në “demokracinë” e shtrembëruar keqas në Shqipëri. Është koha, fëmijët e mi, t’u tregoj pak gjëra nga ato që më mësoi jeta. “Jepu njerëzve më të mirën që ke dhe më e mira do të të kthehet!”: Si t’i kuptoni këto fjalë të thjeshta? Siç e dini, unë kisha një punë. Shkoja çdo ditë në orarin e caktuar dhe punoja fort. Kjo do të thotë të japësh më të mirën. Pa asnjë mëdyshje, më e mira u kthye tek unë, si pagesë me të cilën mbajta familjen. Akoma më shumë, më e mira m’u kthye si ndjenjë krenarie, që vinte nga respekti dhe vlerësimi që njerëzit kishin ndaj meje.

“Të gjithë bëjnë gabime”: Ç’dua të them me këtë? Gjatë punës kam takuar njerëz të jashtëzakonshëm. Njerëz, që kam qenë me fat që i kam njohur. Ata shkonin atje ku të tjerët refuzonin të shkonin. Ata gjenin mënyra që të bënin atë që të tjerët nuk e bënin dot. Ata jo vetëm punonin fort, por ata shkonin gjithnjë e më thellë brenda saj dhe gjenin atje diçka më shumë se ne të tjerët. Ata ndryshonin shumë nga ne të tjerët. Unë, si dhe shumë të tjerë, bëra gabime gjatë jetës. Nuk arrita t’i kuptoja këto që sapo u thashë, ashtu siç i kuptonin ata njerëz të mrekullueshëm. “Dëgjo zemrën”: Kur isha i vogël, prindërit, mësuesit dhe gjithë të rriturit më kishin mësuar: “Studio shumë, puno shumë dhe mos lejo të kesh ëndrra të mëdha. Po qe se do të thurësh ëndrra të mëdha, ti do të deziluzionohesh. Përshtatu dhe ecë më tutje.” Këto thoshin ata dhe vazhdonin, “kështu bëjnë njerëzit e suksesshëm.” Unë u mirë-përshtata me këto mësime dhe eca. Por, ç’do të ndodhte sikur të mos i pranoja këto mësime? Ç’do të ndodhte sikur çdo ditë të vija në dyshim përcaktimin e djeshëm të më së mirës? Ç’do të ndodhte sikur të dëgjoja zemrën time, në vend të fjalëve të tyre? Pa dyshim, do të kisha shkuar më thellë dhe do t’i jepja botës më të mirën që ishte fshehur brenda meje. Në qoftë se do bëja këtë, më shumë të mira do të ktheheshin tek unë, tek familja ime. Por kjo nuk ndodhi, unë nuk veprova kështu.

“Ne të gjithë jemi potenciale të papërdorura plotësisht”: Sa e sa herë ua kam përsëritur këto këshilla. Sfida ime ka qenë, që ju t’i zbatonit këto porosi. Tani e kuptoj, pa dashur të më lëndonit mua, ju nuk i plotësuat, këto porosi, ose më patët premtuar, “se do t’i zbatonit, por, kur të moshoheshit edhe më shumë.” Në këtë çështje mosha nuk ka të bëjë. Çdo ditë, ju do të mësoni diçka më shumë dhe do të kuptoni se kush jeni. Do të njihni gjithë potencialin që fshihet brenda jush. Çdo ditë do të zgjidhni të bëheni më të vlefshëm nga çfarë keni qenë. Unë kërkoj që të filloni tani. Por, si? Duke parë brënda vetes. Provoni mundësi të reja. Kërkoni atë që ka më shumë rëndësi për ju. Pak nga ne i bëjnë këto për veten. Ne shikojmë larg. Shkojmë larg. Ruajmë atë që kemi qenë. Themi se jemi “shumë mirë”. Lutem, që ju të mos zgjoheni një mëngjes e të thoni, ashtu si them unë sot: “E kam jetuar jetën gabim, por tani është vonë ta kthej drejt.” Ju jeni të rinj dhe nuk dua të shikoni dhimbjen dhe pendesën tek unë. Kuptoni, dhurata që dua t’u bëj me këto pak fjalë që po ju shkruaj, është t’u jap sa më shumë nga ndershmëria ime. Ne të gjithë, jemi potenciale të papërdorura plotësisht. Uroj të bëheni kureshtarë dhe të pyesni veten: Çfarë është gjëja më e mirë që kam? Përpiquni çdo ditë të gjeni diçka më shumë nga ajo, për t’ua dhënë njerëzve. Po të bëni këtë, jam i sigurtë, se më shumë nga ç’mendoni dhe në më shumë mënyra, tej parave, të mirat do të kthehen tek ju . “Jeta është plot oportunitete”: Pavarësisht, përpjekjeve dhe gabimeve në rrugën time, në këto tetëdhjetë e pesë vjet kam mësuar se, për çdo njërin nga ne, ka oportunitete që janë të fshehura dhe e kapërcejnë atë ç’ka ne mendojmë për veten. Ato ndodhen tej limiteve që i kemi vëmë vetes. Ajo që unë them se nuk e kam bërë, është sfidë për ta bërë ju. Inteligjenca dhe shpirti njerëzor janë dy krijime të mrekullueshme. Por, fatkeqësisht, ne përdorim një përqindje të vogël të briliancës dhe forcës tonë. Studimet tregojnë se ne përdorim më pak se 1/10 e kapaciteteve tona.

Ç’bëjmë ne me 90 përqindëshin tjetër? Kuptojeni këtë pyetje si një inkurajim. Kam bindjen, se zbulimet më të mëdha të këtij shekulli, nuk do të vinë nga përparimet në teknologji. Ato do të vinë nga të kuptuarit më thellë, të asaj që është më njerëzore dhe më e gjallë. Do të vinë nga zgjedhjet e shumta që do të bëjmë, e që do ta ndryshojnë dramatikisht jetën tonë. Ato janë të vogla dhe arrihen lehtësisht, por, fatkeqësisht, shumë pak njerëz dinë për to dhe akoma më pak njerëz, dinë t’i përdorin ato. William James- një pionier në filozofi dhe psikologji shkruante: “E gjithë jeta është një tërësi zgjedhjesh të vogla, praktike, emocionale dhe intelektuale, të organizuara sistematikisht, për madhështinë ose dështimin tonë”. Kur e pyetën këtë njëri të mençur, se a mund të ndryshojnë këto zgjedhje? Ai u përgjigj: “Po, por vetëm një nga një. Nuk duhet të harrojmë, kurrë, se nuk janë vetëm ëndrrat tona të mëdha që e konfigurojnë realitetin…. Janë zgjedhjet e vogla që na çojnë, në mënyrë të pa rezistueshme, drejt destinit tonë”.

Për shekuj, ka pas qenë menduar se nuk ka kufij për kapacitetet njerëzore. Tani, shumë zbulime shkencore provojnë se kjo është e gabuar. Ka kufij mendorë që na pengojnë të kuptojmë ndryshimet e pazakonta dhe na bëjnë të ndjehemi të bo mbarduar nga stresi. Nuk ka rëndësi sa fort punojmë. Nuk ka rëndësi sa shumë japim. Ne, akoma, nuk e arrijmë dot atë që kemi shpresuar, sepse nuk na lejon biologjia jonë. Por, edhe pse biologjia na pengon, ka një mënyrë tjetër për të ecur përpara. Është mënyra që ne të kuptojmë se, pengesat nuk janë para nesh, por janë brenda nesh. Ne duhet të dimë se kemi brenda vetes një potencial të madh të fshehur dhe kemi fatin, që jeta na fton ta jetojmë këtë mundësi. Kështu bëjnë të gjithë. Gjithkush jeton jetën e tij, sipas mënyrës së tij. Dr. Adem Harxhi