Puna e palodhur e një familjeje ka krijuar një markë prestigjioze të prodhimit të verës dhe mbështetja e qeverisë ka krijuar një destinacion të veçantë agroturistik. Kryeministri Edi Rama vizitoi sot kantinën Nurellari, në Peshtan të Beratit, teksa e cilësoi atë, një shembull domethënës për këdo që beson tek puna dhe potencialet e këtij vendi.

Ky është demokrati Nurellari, por është nga ata demokratët që nuk flenë gjumë. Pamë mrekullinë që ka bërë te kantina, por për të hyrë atje duhet të futeshe në një tmerr me magazina të vjetra. Si qeveri që jemi partner pa dallime politike i thash hajde bëjmë një projekt të përbashkët. U fut edhe fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe tani është bërë një pol që duhet zgjeruar. Duhet të kurohen muret me tulla dhe kjo tani është bërë qendër turistike, shtoi Rama.

E di pse ke sukses ti? Se je demokrat por beson te shija ime, iu drejtua Rama Nurellarit.
Sipas Ramës, ky është një model për t’u treguar edhe të tjerëve se kush shikon pak më tej se sa sot për sot dhe kush ka kurajo e vullnet të shkojë përpara, bën sukses. Ndërkohë, për ndërtimin e kantinës, Nurellari ka përfituar edhe nga fondet e IPARD-t për makineri dhe pajisje. Përmes skemave kombëtare të mbështjes, Nurellari ka përfituar fonde edhe për ndërtimin e dhomave të hotelit.

Kryetari i Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj vlerësoi investimet e kryera nga qeveria në kuadër të Programit 100 fshatrat, që sipas tij po i kthen këto zona në një atraksion turistik. Kjo zonë, theksoi ai, ka shumë biznese dhe shquhet për prodhimin e rrushit dhe ullirit. Ndërtimi i rrugës Poliçan-Teqeja e Abaz Alisë, do të luajë një rol të rëndëisishëm për zhvillimin e zonës, tha Zotkaj.